Nxitën kolegët të braktisnin punën në Rinas, nis seanca ndaj tre kontrollorëve

10/04/2021 09:04

Mëngjesin e kësaj të shtune (10 prill) ka nisur seanca ndaj tre kontrollorëve Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini.

Prokuroria e Tiranës dërgoi pasditen e së premtes në gjykatë kërkesën ndaj tre kontrollorëve, ku ndaj Flora Ndrecës ka kërkuar masën arrest shtëpie, ndërsa dy te tjerëve atë te arrestit me burg.

Ndaj tyre prokuroria ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim.

Kërkesa do shqyrtohet nga gjyqtari Arben Mica, ndërsa akuza përfaqësohet nga prokurorët Marjeta Zaimi dhe Lidina Riza.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar dosjen hetimore me dëshmitë e kontrollorëve që u nxitën nga eprorët për bllokimin e aeroportit të Rinasit.

Nga deklarimet e dhëna prej kontrollorëve rezulton se plotësimi i deklaratës për paaftësi të përkohshme u është kërkuar nga drejtuesit e Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Flora Ndrecës dhe Muhin Mezinit, të cilët po paraqiten sot para gjykatës për masën e sigurisë.

Në dosjen që disponon gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, rezulton se Kujtim Malko ka pasur një debat të ashpër me Flora Ndrecën, të cilës i kishte thënë se nuk do e plotësonte formularin e paaftësisë. Nga biseda e tyre rezulton se ka pasur tone të ashpra pasi Malko në tension e sipër i ka thënë Ndrecës “zbrit nga kulla se përndryshe do të të hedh”.

“Në datën 06.04.2021, kam marrë një telefonatë nga kolegia Flora Ndreca për tu ngjitur në kullë. Jam ngjitur në kullë dhe atje kam gjetur Flora Ndrecën, Ermir Begon dhe Majnald Kodrën. Flora Ndreca më ka pyetur se çfarë do të bëja me plotësimin e formularit të paaftësisë. Unë i kam thënë se nuk do ta plotësoj. Në atë moment më ka thënë përse nuk e plotëson, unë i jam përgjigjur se kjo është puna ime. Debatet rreth plotësimit të deklaratës kanë vazhduar për disa minuta dhe për shkak të natyrës së punës që nuk lejohet debat në vendin e punës, i kam kërkuar që të largohet nga kulla. Në këtë moment, midis debateve, ajo më është drejtuar duke më thënë se ti nuk je burrë. Në këtë moment i jam përgjigjur zbrit nga kulla se përndryshe do të të hedh. Deklaroj se gjatë debatit tim me Florën kanë ndërhyrë edhe kolegët e tjerë të cilët ishin të pranishëm. Pas këtij momenti ajo është larguar, unë kam vazhduar punën. Pas mbarimit të punës jam larguar për në shtëpi dhe nuk kam takuar asnjë nga koleget.

Lidhur me formularin deklaroj se po atë ditë, rreth orës 18:00 jam njoftuar nga mediat se kontrollorët e Rinasit kishin shpallur grevë. Me sa më kujtohet më ka telefonuar kolegu Sokol Duro, që po shkojmë në Rinas për shkak të pushimit nga puna të pesë kolegëve. Jam nisur nga shtëpia dhe unë për në Rinas. Kam arritur dhe kam marrë kontakt me kolegët nga të cilët mësova që kishin plotësuar paaftësinë e përkohshme në punë. Gjendur në këto kushte pasi stresi ishte shumë i madh, kam plotësuar edhe unë formularin e paaftësisë”, thuhet në dëshminë e Malkos, të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha.

Nga deklarimet provohet se Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme në punë me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën e tyre funksionale në institucionin me rëndësi të vecantë.

Sic ka raportuar Top Channel një ditë më parë, përveç dëshmive, ka pasur edhe biseda në rrjete sociale të nxitjes së kontrollorëve nga eprorët për të plotësuar deklaratën e paaftësisë së përkohshme.

Nga telefoni i Flora Ndrecës, përgjegjëse turni dalin biseda me një shtetas të quajtur Gersi Spaho ku thuhet: “Mua dhe Lolën na pushuan, se kemi dhënë dorëheqjen të gjithë, po shyqyr që u kujtuan të bëhen të gjithë bashkë, e prekën fundin?”

Ndërkohë rezulton që shtetasi Muhin Mezini i ka dërguar Olsi Petritit foto të formularit të paaftësisë të plotësuar në emër të tij dhe ky i fundit i ka shkruar se “në 12 jam aty”.

Më pas në datë 6 prill Mezini këtë foto ia ka ka dërguar dikujt me emrin Ezi foto të formularit plotësuar në emër të tij, ndërsa Ezi i thotë: “E mira është të shkruash më shkurt”. Nga biseda kuptohet se Mezini e orienton atë se si të plotësojë formularin, ndërsa rezulton se ai ka ndikuar te një sërë punonjësish që të bëjnë të njëjtën gjë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA