Seanca e gjykatës për Zani Çaushin, një prej emrave më të njohur të botës së krimit i konsideruar si i forti i bandës së Çoles, përfundoi pas 45 minutave.
Në këtë seancë është rrëzuar kërkesa e tij për të përfituar lirimin me kusht ndërkohë që pritet zbardhja e vendimit për rrëzimin e kërkesës.
Kërkesa është rrëzuar me argumentin se ai nuk plotësonte kriteret për lirinë me kusht. Sipas burimeve Zani Çaushi nuk konsiderohet i rehabilituar pasi gjatë vuajtjes së dënimit është dënuar edhe për shkelje të tjera çka ka bërë që sjellja e tij të mos konsiderohet shembullore.
Nga ana tjetër Zani Çaushi në ditët në vijim ka një tjetër seancë të ndryshimit të nivelit të sigurisë së burgut pasi kërkon të kalojë nga siguria e lartë në atë normale.
Çaushi ka mbërritur rreth orës 14:30 dhe seanca u zhvillua me dyer të mbyllura ndërkohë që u shqyrtua nga gjyqtari Selajdin Pysqyli. Prokuror ishte Ervin Beqiri ndërsa u mbrojt nga i njëjti avokat, Arben Lena.
Herën e kaluar seanca e Zani Çaushit u shty pasi avokati mbrojtës kërkoi kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare.
Myrteza Çaushi është i dënuar me burgim të përjetshëm. Ai ishte kreu i një prej bandave në qytetin e Vlorës, gjatë trazirave të vitit 1997.
Në këtë vit, i lartpërmenduri gjendej i burgosur në shtëpinë e rehabilitimit me sigurim të cilësisë së lartë, ku arriti të arratisej gjatë një revolte që kishte shpërthyer në burg.
Çaushi ishte i dënuar nga drejtësia e Greqisë me 101 vjet burg për vrasje, por duket se arratisja nga burgjet greke nuk e shpëtoi, pasi sot vuan dënimin me burgim të përjetshëm, në burgun e Burrelit, ku ai dhe banda e tij akuzohen për krime monstruoze.
Top Channel