Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë për tre kontrollorët e ndaluar pas bllokimit të aeroportit të Rinasit.
Prokuroria ka kërkuar “arrest shtëpie” për përgjegjësen e turnit, Flora Ndrecën pasi ka fëmijë të vegjël ndërsa për kontrollorin Muhin Mezinit dhe Armando Fezgën, kreun e Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka kërkuar “arrest me burg”. Ata pritet që të dalin përpara gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë, për shkak të akuzës që prokuroria ka ngritur; atë të shpërdorimit të detyrës.
Nga deklarimet e tyre, është provuar se të tre ata, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë në punë. Po ashtu, me veprimet e tyre kanë sjellë pasoja duke mbyllur kullën dhe aeroportin. Pasoja kanë sjellë edhe në dëm të udhëtarëve.
Sic ka raportuar Top Channel një ditë më parë, veç këqyrjeve të telefonave, janë referuar dhe dëshmitë e kontrollorëve që tregojnë si u nxitën nga eprorët për deklaratën e paaftësisë së përkohshme.
Nga telefoni i Flora Ndrecës, përgjegjëse turni dalin biseda me një shtetas të quajtur Gersi Spaho ku thuhet: Mua dhe Lolën na pushuan, se kemi dhënë dorëheqjen të gjithë, po shyqyr që u kujtuan të bëhen të gjithë bashkë, e prekën fundin?
Ndërkohë rezulton që shtetasi Muhin Mezini i ka dërguar Olsi Petritit foto të formularit të paaftësisë të plotësuar në emër të tij dhe ky i fundit i ka shkruar se “në 12 jam aty”.
Më pas në datë 6 prill ,Mezini këtë foto ia ka ka dërguar dikujt me emrin Ezi foto të formularit plotësuar në emër të tij, ndërsa Ezi i thotë: E mira është të shkruash më shkurt. Nga biseda kuptohet se Mezini e orienton atë se si të plotësojë formularin, ndërsa rezulton se ai ka ndikuar te një sërë punonjësish që të bëjnë të njëjtën gjë.
Top Channel