Bisedat në whatsapp mes kontrollorëve të Rinasit, çuan edhe në shoqërimin e ish kreut të Aviacionit Civil, Petrit Sulaj, i dorëhequr në maj të 2014-ës.
Sulaj u morë në pyetje për rreth tre orë mbrëmjen e së enjtes, pasi mes tij dhe dy prej të ndaluarve, Armando Fezgës, kreut të sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajor, dhe Muhin Mezinit, mbikqyrësit të kontrollorëve, janë shkëmbyer mesazhe ditët e fundit. Megjithatë Sula u la i lirë më pas, por mësohet të ketë thënë që nuk ka pasur ndikim në vendimmarrjen e kontrollorëve dhe se ka qenë kundër bojkotit nga ana e tyre. Ai ka shtuar se bisedat në whatsapp, kanë qenë në kuadër të njohjes që ai ka pasur me dy të ndaluarit.
Prokuroria e Tiranës, vijon ende hetimet lidhur me grevën dhe situatën e krijuar në aeroportin e Rinasit, 3 ditët e fundit. Ajo ka sekuestruar celularët e 28 kontrollorëve, ku mes tyre u gjetën edhe bisedat mes të ndaluarve dhe Sulajt.
Kujtojmë se në një grup whatsappi të kontrollorëve janë gjetur biseda ku njëri prej tyre Klesti, shkruante që të “Mbyllnin Kullën”.
Ndërkaq, pritet që të ketë edhe të tjera shoqërime, për marrje në pyetje të personave të cilët kanë pasur kontakte ditët e fundit me kontrollorët që bojkotuan punën, për të parë nëse do të dalin të tjera të dhëna hetimore.
Kujtojmë se një ditë më parë, në polici, u ndaluan me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, Armando Fezga, Flora Ndreca, përgjegjëse turni dhe Muhin Mezini. Ata pritet që të dalin përpara gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë, për shkak të akuzës që prokuroria ka ngritur; atë të shpërdorimit të detyrës.
Nga deklarimet e tyre, është provuar se të tre ata, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë në punë. Po ashtu, me veprimet e tyre kanë sjellë pasoja duke mbyllur kullën dhe aeroportin. Pasoja kanë sjellë edhe në dëm të udhëtarëve.
Top Channel