Vaksina ruse anti Covid, Sputnik V po aplikohet në disa vende europiane, por EMA ende nuk ka dhënë aprovimin.
Mjekja, Ornela Ademi, pjesë e Agjencisë Europiane të Barnave, tregon si po ecën procesi i studimit të Sputnik V. “Janë bërë testime në njerëz, por për momentin priten të vijnë rezultatet. EMA po ashtu është në Rusi. Po bën një investigim të vendit ku është prodhuar vaksina. Po shqyrtohet nëse përmbush standardet europiane dhe nëse kanë atë efikasitet që thuhet se kanë”.
Por, kur mund të përfundojë procesi i studimit të kësaj vaksine? “Nëse do të marrim shqyrtimet klinike dhe investigimin, do të duhet dhe një muaj afat, do të thotë që nga maji do të merret një opinion. Por, asgjë nuk është e sigurt”, tregon Ademi në një lidhje direkte për “Shqipëria live”.
Pas këtij procesi, mjekja shpjegon hapin e radhës. “Pastaj do të bëhet aplikimi për certifikimin, midis tre apo katër javë, pra diku në qershor mund të përfundojë nëse shkon mirë”.
Ajo shpjegon se ky është një proces normal dhe nuk ka vend për panik. “Këto lloj investigimesh bëhen për të gjitha kompanitë jo të certifikuara nga BE. Është diçka normale që bëhet për të gjitha, kjo nuk duhet të shkaktojë frikë për vaksinën”.
Ademi flet dhe për vaksinën kinezë. Sipas saj, kompania që e prodhon nuk ka dërguar kërkesë për certifikim te Agjencia Europiane e Ilaçeve. “Autoritetet kineze nuk kanë dërguar asnjë aplikim. Për ne, sa më shumë vaksina të kemi, aq më mirë është. Ka nisur një diskutim. Por, duhen përmbushur disa kushte për të aplikuar te EMA. Për momentin, është shumë i rëndësishëm monitorimi i efekteve anësore“.
Top Channel