Sillnin në Shqipëri emigrantë të paligjshëm, 4 të arrestuar, 2 të tjerë në kërkim (Emrat)

08/04/2021 09:31

4 shtetas janë arrestuar dhe 2 të tjerë janë në kërkim, pasi dyshohet se mundësonin kalimin e paligjshëm të kufirit, për shtetas me origjinë nga vendet e treta.

Gjatë operacionit policor janë ndaluar shtetasit Xhulian Drymishi, Romeo Drymishi, Jorid Muceku, Eralbi Koliqi dhe janë shpallur në kërkim shtetasit Artur Salianji dhe Sandri Krasta.

Këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasit Gentian Sula dhe Ardenis Dreni ( të arrestuar në flagrancë më datë 28.09.2020), kanë kryer në mënyrë të organizuar veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve me origjinë nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke bërë transportimin e tyre nga Korça drejt Tiranës, kundrejt fitimit 250-300 euro për person.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrezja 1”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit,  kundrejt fitimit.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Komisariatin e Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë zhvilluar me sukses operacionin policor “Rrezja 1”. Si rezultat i këtij operacioni u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasit:

Xh. D., 29 vjeç, R. D., 23 vjeç, J. M., 22 vjeç dhe E. K., 21 vjeç, të katërt banues në Durrës.

Si dhe u shpallën në kërkim policor shtetasit A. S., 40 vjeç dhe S. K., 32 vjeç, të dy banues në Durrës.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetasit G. S. dhe A. D. (të cilët janë arrestuar më datë 28.09.2020), kryenin në mënyrë të organizuar veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve me origjinë nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke bërë transportimin e tyre nga Korça drejt Tiranës, kundrejt fitimit 250-300 euro për person.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme, kanë transportuar një numër të konsiderueshëm personash, të cilët janë bllokuar nga shërbimet policore, pa mundur të kalojnë kufirin.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 6 automjete dhe 11 aparate celular.

Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan,  për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA