Pas 13 orësh marrjesh në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për shkak të revoltës së krijuar në aeroportin e Rinasit e bllokimit të fluturimeve, u ekzekutua urdhër ndalimi për “shpërdorim detyre” për kreun e Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Armando Fezga, përgjegjësen e turnit, Flora Ndreca dhe kontrollorin, Muhin Mezini.
24 kontrollorë janë shoqëruar nga policia që nga ora 23:00 e ditës së djeshme, pasi Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për situatën e krijuar në aeroportin e Rinasit, ndërsa 21 u liruan mëngjesin e sotëm.
65 kontrollorë të trafikut ajror kanë ndaluar punën ditën e djeshme duke kërkuar plotësimin e disa kërkesave si: rikthim i kolegëve në punë; shfuqizim i vendimeve të bordit; rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive; transparencë financiare e plotë për vitin 2020; një anëtar sindikate të jetë anëtar bordi.
Bllokimi i punës ka sjellë anulimin e fluturimeve në aeroportin e Rinasit si dhe bllokimin e dozave të vaksinës që priteshin të vinin.
Gjithashtu është krijuar sjellë kaos, ku dhjetëra qytetarë presin që nga dita e djeshme të fluturojnë në destinacionin e planifikuar.
Pasditen e djeshme ushtria dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë zbarkuan në Rinas, ndërsa Forcat e Armatosura morën nën kontroll aeroportin.
Avokati i kontrollorëve të AlbControl, Rezart Kthupi në një intervistë për mediat nga ambientet e jashtme të Policisë së Shtetit tha se që nga mbrëmja e djeshme janë shoqëruar 24 kontrollorë, të cilët vetëm janë marrë në pyetje në lidhje me situatën. Ai theksoi se prokuroria nuk mund t’i akuzojë për shpërdorim detyrë, sepse kjo vepër kërkon që punonjësit të jenë pjesë e administratës dhe jo sh.a., siç është AlbControl.
“Rreth 24 punëtorët e trafikut ajror, janë shoqëruar, një pjesë janë marrë në ambientet e Albcontrol një pjesë në polici. 4 sapo kanë dalë, ndodhen në kushte të shoqërimit, kanë dhënë shpjegime në lidhje me situatën. Shpërdorimi i detyrës është vepër i administratës, në këtë rast se di cili është arsyetimi i Porokurorisë. Albcontrol është sh,a.a i pavarur nga shteti, nuk shoh asnjë funksion publik mbi të cilin ngrihet kjo akuzë”, tha avokati.
Për këtë ngjarje të rëndë pati reagime shumë të ashpra nga autoritetet shtetërore. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e kanë cilësuar si një grusht shteti të nxitur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta.
Kryeministri ditën e djeshme u bëri thirrje kontrollorëve që t’i rikthen punës. Në lidhje me këtë çështje edhe presidenti Meta tha se kontrollorët duhet të nisin punën dhe të mos e ndërpresin atë, ndërsa bëri thirrje që të uleshin në dialog për të zgjidhur këto tensione.
Top Channel