Dita e sotme e ka gjetur kryeministrin Edi Rama në qytetin e Gjirokastrës, ku nuk ka hezituar të thumbojë opozitën dhe deklaratat e opozitës në lidhje me mësuesit dhe infermierët. Rama thotë se po tentojnë të kthejnë mjekët dhe infermierët në mish përtokë.
Ndër të tjera, përdori fjalën e mençur për të ironizuar premtimet e PD duke thënë se “do të thotë të jesh budalla nëse pret rezultat kur përsërit të njëjtën gjë”.
Edi Rama: Ka një fjalë të mençur që thonë se të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër, do të thotë se je budalla. Kjo është e njëjta gjë që përsëritet dhe këtë e thonë vetë kur thonë se 8 vjet më parë ndodhi një aksident dhe aksidentalisht i largoi ata. Tani populli duhet të rregullojë gabimin e madh që bëri dhe të mos lajthisë prapë. E patë dje prapa derës, gati për tu futur përsëri në krye të vendit dhe për ta bërë përsëri camure, gati për ti kthyer përsëri mësuesit, infermierët në mish përtokë. Ik ti se do vijë ky, do vijë kjo. Shumë thjesht, gati për të kthyer përsëri, jo më shumë e jo më pak por arbitraritetin në futjen e nxënësve tuaj në universitet. Nuk hy ky se nuk ka të njohur, nuk ka lekë.
Gati për të kthyer taksën e sheshtë që tani e kanë 0. Gati për të rikthyer shumë gjëra të tjera, por mbi të gjitha gati për të rikthyer karakterin e tyre të dobët dhe paaftësinë e tyre në qendër të zhvillimeve të vendit. Ne jemi këtu për të vazhduar me më shumë këmbëngulje e durim, forcë dhe energji përpara për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër.
Gjërat shkojnë në një pikë ku nuk kthehen dot më mbrapa, nëse gjërat marrin një ndërtim tjetër, të gjitha përpjekjet e tjera i merr lumi. E di mirë që drejtësia është akoma një krijesë e dobët që sapo del nga embrioni, institucionet e reja të drejtësisë janë në hapat e parë ndërkohë që zullumqarët janë jashtë duarve të drejtësisë, por nëse kthehemi sot mbrapsht, jo vetëm që drejtësia nuk do të mund të vërë dot dorë mbi ta, por mund të marrin në dorë drejtësinë.
Top Channel