Ku shkoi floriri i komunistëve pas shpërbëries së BRSS? (fotot)

08/04/2021 21:29

Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në 1991 pyetje të shumta u ngritën mbi rezervat e floririt të partisë komuniste. Historianë e gazetarë besojnë se zyrtarë të partisë që kishin akumuluar sasi të mëdha parash, e transferuan atë në llogari të huaja bankare.

Partia komuniste e BRSS kishte monopol të pushtetit deri në fund të viteve 1980-të, ndërsa komiteti qendror dhe byroja politike e saj ishin një shtet më vete. Zyrtarët e tyre gëzonin privilegje që nuk ishin gjithmonë të ligjshme.

Burimet thonë se me shembjen e BRSS në fillim të viteve 1990, rreth $10 miliardë nga thesari i partisë u zhdukën pa lënë gjurmë, dhe shumica e Rusisë beson se paratë janë vjedhur.

Viktor Mironenko, ish-kreu i Komsomol, organizata e të rinjve të partisë, përmend në shkrime se pak para shpërbëries së sistemit kishte $10 miliardë në llogaritë e saj.

Nuk mund të thuhet me siguri nëse kjo ka qenë shuma e saktë, pasi arkivat e partisë ishin veçmas buxhetit dhe vetëm zyrtarët më të lartë kishin akses në to. Duke iu përgjigjur pyetjes: “Kush i vodhi paratë?” Mironenko nga supet: “Nuk e kam idenë. Unë jo.

Viktor Gerashchenko, ish-drejtori i bankës shtetërore të BRS konfirmoi në 2011 se në llogaritë e komitetit qendror kishte shuma të mëdha parash në 1991, por ato u zhdukën në mënyrë misterioze.

Situata duket misterioze, sidomos pas disa vdekjeve të mistershme të personave të përfshirë. Më 26 gusht 1991, gjashtë muaj para rënies së BRSS, Nikolai Kruchina, drejtuesi i financave të partisë ra nga dritarja dhe vdiq. Ai ishte i afert më liderin Mikhail Gorbachev.

Pararendësi i tij, Georgy Pavlov, në post prej 18 vjetësh, pati fat të njëjtë me Kruchina duke vdekur një muaj më vonë.

Një bankier i tretë, Dmitry Lisovolik, i cili drejtonte sektorin ndërkombëtar të komitetit qendror të partisë dhe ishte i përfshirë me lëvizjen e parave të thata, gjithashtu ra nga një dritare disa ditë më vonë.

Megjithë koinçidencat e çuditshme, disa zyrtarë thonë se floriri i partisë nuk ka ekzistuar kurrë, por pretendime të tilla u pritën me skepticizëm nga publiku.

Kurioziteti dhe dëshira për drejtësi kanë bërë që liderët rusë të hetojnë për paratë e zhdukura, të cilat do të kishin ndihmuar në ringritjen e Rusisë se re nga “hiri i BRSS”.

Për kërkimin e parave, Yegor Gaidar, kryeministri i qeverisë së Boris Yeltsin 1992, pajtoi detektivë privatë nga agjencia e famshme amerikane Kroll. Sipas kujtimeve të tij, investigimet u ndaluan për mungesë të informacioneve  dhe rrejedhimisht qeveria nuk publikoi raportin e investiguesve amerikanë të çështjes.

Versioni më i pranueshëm jo-zyrtar i ngjarjes është ai sipas të cilit “floriri i Partisë” është kaluar në llogari bankare në Hong Kong, prej lidhjeve kineze të pushtetit.

Në vitet 1980 e 1990-të, bankat e Hong Kong menaxhonin shumë llogari anonime dhe nuk bashkëpunonin me hetuesit e huaj.

Vende të tjera ku paratë mund të jenë zhdukur janë Qipro ose Libani. Një tjetër teori thotë se  paratë nuk kanë dalë kurrë nga Rusia. Zyrtarë të lartë të partisë, duke parashikuar vdekjen e socializmit, i pastruan paratë e tyre duke investuar në kooperativa apo partneritete publike-private, që solli përqendrimin e kapitalit privat në epokën post-Sovietike.

Por sot shumë ekspertë janë dakord se vjedhja e pasurisë së shtetit sovjetik nuk ishte një grabitje e organizuar nga komunistët e plakur, por një vjedhje secili për veten e tij, duke rrëmbyer sa të mundnin teksa anija e socializmit mbytej dhe të privilegjuarit vazhdonin të siguronin pozitën e tyre në rendin e ri kapitalist. (RussiaBeyond/Pergatiti: Andi Lamko)

FOTO GALERI
2/3
Ish-kreu i Komsomol, organizata e të rinjve të partisë, përmend në shkrime se pak para shpërbëries së sistemit kishte $10 miliardë në llogaritë e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA