Burime nga Ministria e Infrastrukturës thonë se kanë bërë kërkesë nga të gjitha vendet dhe Eurocontrol për të sjellë kontrollorë të tjerë, por ende nuk ka asnjë përgjigje prej tyre.
Sot është dita e dytë e bllokimit të fluturimeve në aeroportin e Rinasit për shkak të revoltës së kontrollorëve të kompanisë “AlbControl”.
24 kontrollorë janë shoqëruar nga Policia e Shtetit që nga ora 23:00 e djeshme, pasi Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për situatën e krijuar nga dita e djeshme në aeroportin e Rinasit.
21 janë liruar mëngjesin e sotëm e 3 prej tyre janë ende në Drejtorinë e Tiranës.
Avokati i kontrollorëve të AlbControl, Rezart Kthupi në një intervistë për mediat nga ambientet e jashtme të Policisë së Shtetit tha se që nga mbrëmja e djeshme janë shoqëruar 24 kontrollorë, të cilët vetëm janë marrë në pyetje në lidhje me situatën. Ai theksoi se prokuroria nuk mund t’i akuzojë për shpërdorim detyrë, sepse kjo vepër kërkon që punonjësit të jenë pjesë e administratës dhe jo sh.a., siç është AlbControl.
Teksa nuk ka ende asnjë zgjidhje për situatën e krijuar në Aeroportin e Rinasit, TIA ka njoftuar në faqen zyrtare anulimin e fluturimeve të paradites së sotme.
Top Channel