Komiteti teknik i eksperteve nuk i ndryshoi masat anti Covid edhe pse numri i infektimeve ne vend është ulur.
Ekspertet thonë se virusi është përhapur edhe ne fshat, ndërsa fushata elektorale pritet qe ta përkeqësoje situatën e Covid-19.
Mira Rakacolli tha se do të mbeten në fuqi të gjitha masat, pavarësisht arritjeve të 2 javëve të fundit me fushatën e vaksinimit, e cila e ka bërë Shqipërinë vendin e parë në rajon sa i përket ritmit të vaksinimit.
Rakacolli: Mendojmë që masat e propozuara nga Komiteti kanë qenë efikase dhe i gjithë ky rezultat vjen si bashkëpunim i një pjese të qytetarëve të atyre masave që nuk jemi lodhur asnjëherë së përmenduri. Një nga arritjet më të mëdha ka qenë fushata e vaksinimit, pra zhvillimi me sukses i vaksinimit masiv. Doja të theksoja që Shqipëria në 10 ditëshin e fundit ka zënë vendin e parë në rajon sa i përket ritmit të vaksinimit.
Megjithatë, pavarësisht arritjeve situata nuk është aty ku ne duhet të jemi dhe mendohet që masat të mbeten në të njëjtin nivel si më parë. Pra asnjë ndryshim masash.
-Do të mbetet në fuqi ora policore. Dalja do të jetë deri nga ora 20:00 deri në 06:00, me përjashtim të atyre që kanë arsye shëndetësore.
-Baret dhe restorantet do të punojnë deri në orën 20:00 dhe më pas mund të vazhdojnë shërbimin ‘delivery’.
-Do të kemi vazhdimësinë të mësimit online të universiteteve dhe shkollave të mesme, me përjashtim të maturave të cilët do të vazhdojnë mësimin nëpër klasa.
-Po ashtu, fluturimet me Britaninë edhe këtë dy javësh mbeten të pezulluara.
-Rekomandohet mos grumbullimi i më tepër se 10 vetave.
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka shprehur shqetësimin që gjatë fushatës elektorale, disa subjekte politike po zhvillojnë grumbullime në kundërshtim me rregullat e vendosura, ndërkohë që kanë bërë thirrje që të zbatohen rregullat e vendosura.
“Komiteti i Ekspertëve është mjaft i shqetësuar për shkak se në fushatën elektorale, disa subjekte politike po zhvillojnë grumbullime krejtësisht jashtë të gjitha kritereve të rekomanduara, pa i zbatuar rregullat anticovid. Jemi shumë të shqetësuar sepse padyshim grumbullimet e vërejtura nga disa subjekte politike patjetër që do të çojnë në një rritje të numrit të të infektuarve në të ardhmen dhe ajo çfarë është më e keqja patjetër që do të çojnë në një rritje të humbjeve të jetës. Ju bëjmë një apel të gjitha subjekteve politike që takimet e tyre elektorale t’i zhvillojnë në përputhje me rregullat, për mos lejimin e grumbullimeve të mëdha, për mbajtjen e distancën fizike, mbajtjen e maskës dhe të gjitha masave që tashmë janë bërë të qarta”, ishte apeli i prof. Rakacollit, në emër të Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Top Channel