Frika nga AstraZeneca/ EMA gjen raste të mpiksjes së gjakut dhe nivele të ulëta të trombociteve të gjakut

07/04/2021 16:37

Rregullatori europian i Barnave konfirmoi ekzistencën e një lidhjeje të rrallë mes vaksinës së AstraZenecas dhe trombozave të rralla, edhe pse këmbëngul se përfitimet mbeten më të larta se rreziqet.

EMA ka arritur në përfundimin se mpiksjet e pazakonta të gjakut duhet të renditen si efekte anësore shumë të rralla të vaksinës. Pasi arriti në këtë përfundim, vendosi që të marrë në konsideratë të gjitha provat e disponueshme për këto efekte anësore si dhe të marrë parasysh këshillat nga një grup ekspertësh.

EMA kërkon që punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe personat tjerë që marrin doza të vaksinës AstraZeneca të jenë të vetëdijshëm për mundësinë e rasteve të mpiksjes së gjakut të kombinuara me nivele të ulëta të trombociteve të gjakut që ndodhin brenda 2 javësh nga vaksinimi.

Deri më tani, shumica e rasteve të raportuara kanë ndodhur në gra nën moshën 60 vjeç rreth 2 javë nga vaksinimi. EMA thotë se vaksina mund të nxisë një reagim imunitar që çon drejt shqetësimesh atipike të ngjashme, por për momentin nuk ka qenë e mundur të identifikoheshin faktorë specifikë rreziku.

Mosha, gjinia apo historia e mëparshme e shqetësimeve lidhur me koagulimin e gjakut nuk ka qenë e mundur të konfirmohen, sepse ato pak raste që kanë ekzistuar, janë vënë re tek të gjitha moshat dhe gjinitë, si tek meshkujt, ashtu edhe tek gratë.

Njerëzit që kanë marrë vaksinën duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë nëse kanë shenja të mpiksjes së gjakut apo  tromboza të sinusit cerebral venoz, që mund të çojnë në goditje në tru.

Komiteti kreu një rishikim të thelluar të 62 rasteve të trombozës së sinusit cerebral venoz dhe 24 rasteve të trombozës së venës të raportuar në bazën e të dhënave të BE-së që nga 22 Marsi 2021. Prej këtyre rasteve, 18 ishin fatale.

EMA insistoi se bëhet fjalë për një mekanizëm autoimuniteti, që do të thotë pra se ka lidhje me vaksinën, e cila duhet të stimulojë prodhimin e antitrupave me proteinën “spike”. Tek disa persona, por fatmirësisht jo tek të gjithë, ajo nxit edhe krijimin e të ashtuquajturve auto-antitrupa, e që në fakt janë antitrupa të cilët kthehen kundër qelizave që janë pjesë e organizmit tonë.

Fushatat e imunizimit me vaksinën e Oxford-AstraZeneca-s kanë krijuar një përshtjellim në të gjithë botën, fillimisht për shkak të mungesës së informacionit nga provat klinike të fazës së fundit lidhur me efektin e saj tek të moshuarit, gjë që ka ngadalësuar përpjekjet e vaksinimit në të gjithë Evropën. Shumë vende i kanë ndaluar fushatat e vaksimit me të për shkak të rasteve të mpiksjes së gjakut.

Top Channel