Biden përshpejton procesin/ Nga 19 prilli nis vaksinimi i 18-vjeçarëve e sipër

07/04/2021 11:41

Presidenti Biden e ka shkurtuar me gati dy javë afatin kur çdo i rritur në SHBA do të kualifikohet për vaksinim kundër koronavirusit.

“S’do të ketë më rregulla konfuzuese, s’do të ketë më kufizime,” tha presidenti në Shtëpinë e Bardhë duke njoftuar se që nga data 19 prill “çdo 18 vjeç e sipër përmbush kushtet për t’u vaksinuar”. Njoftimi i presidentit vjen në një kohë kur vendi po përballet me valën e katërt të rritjes së infeksioneve, sidomos në radhët e të rinjve.

Biden: “Nuk jemi ende te vija e finishit. Ende kemi shumë punë për të bërë. Jemi në garë për jetë a vdekje me virusin. Kur të ktheheni në shtëpi, tregojuni miqve që të vaksinohen sapo ta kenë mundësinë”.

Biden i bëri komentet pasi vizitoi një qendër vaksinimi rreth 12 km larg shtëpisë së bardhë ku ai foli për përshpejtimin e ritmit të imunizimit.
Gjatë javës së fundit, infektimet e reja kanë shënuar 7% rritje krahasuar me periudhën e mëparshme shtatë ditore.

Shtrimet në spitale janë rritur 3%, ndërsa vdekjet nga COVID-19 kanë shënuar rënie të vogël duke arritur në rreth 800 viktima në ditë.

Shtimi i infektimeve shihet si pasojë e uljes së numrit të personave që mbajnë maskë, shtimi i pjesëmarrjes në aktivitete publike, intensifikimi i udhëtimeve dhe përhapja e varianteve të reja. Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të shëndetësisë po përpiqen t’i mëshojnë mesazhit për vigjilencë, pasi popullata ka shfaqur lodhje nga masat kufizuese pas 13 muaj pandemie.

Top Channel