Presidenti rus Vladimir Putin premtoi se do të garantojë furnizimin me vaksinat kundër COVID-19 për Argjentinën gjatë një telefonate me udhëheqësin e vendit.
Putin realizoi një bisedë telefonike me Presidentin Alberto Fernandez gjatë së cilës e siguroi për furnizimin me vaksinat dhe për të kontrolluar shëndetin e Fernandez pasi ai kohët e fundit ka qenë në izolim pasi rezultoi pozitiv me COVID-19.
Fernandez foli me Putinin nga Rezidenca Presidenciale në Olivos, në periferi të kryeqytetit Buenos Aires.
Sipas një shkrese zyrtare, udhëheqësi rus riafirmoi angazhimin e tij për të furnizuar Argjentinën me vaksina.
Fernandez vlerësoi vaksinën ruse Sputnik V, duke theksuar se ai është prekur nga COVID-19 “në një mënyrë të butë dhe pa simptoma” për shkak të efekteve pozitive të vaksinës.
Ai bëri thirrje për dërgesa të rregullta të vaksinave në Argjentinë, të cilën ia premtoi Putini.
Fernandez gjithashtu theksoi se ishte mirënjohës për përpjekjet e Rusisë, duke përsëritur se fushata e vaksinave në Argjentinë po shkon shumë mirë.
Me 4.467.745 doza të siguruara, Instituti Gamaleya, i cili zhvilloi vaksinën Sputnik V, është furnizuesi kryesor i 7.266.500 vaksinave që kanë mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar Ezeiza në Buenos Aires që nga dhjetori.
Presidenti Fernandez ka marrë dy dozat e vaksinës Sputnik V, të parën në janar dhe të dytën në shkurt.
Në javët e fundit, fushata e vaksinave të Argjentinës është rritur pas furnizimeve me Sinopharm të Kinës, AstraZeneca dhe skemën COVAX.
Shkresa zyrtare gjithashtu vuri në dukje se Putin ka ripërsëritur ftesën e tij për Fernandez që të vizitojë Rusinë ndërsa dy kombet kërkojnë forcimin e marrëdhënieve.
Raportet lokale kanë sugjeruar se Fernandez është i etur të marrë mbështetjen e Rusisë ndërsa vendi i Amerikës Latine kërkon të ristrukturojë borxhet prej rreth 45 miliardë dollarë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Të dy udhëheqësit folën gjithashtu me telefon në fillim të shkurtit në lidhje me furnizimin e Argjentinës me vaksinat ruse.
Argjentina, me një popullsi mbi 45 milionë banorë, ka regjistruar më shumë se 2,4 milionë infeksione nga koronavirusi, me mbi 56.000 vdekje dhe më shumë se 2,15 milionë të shëruar, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins me bazë në SHBA.
Top Channel