Demokratët në Senat propozojnë rritje të taksave mbi korporatat

06/04/2021 06:32

Demokratë të fuqishëm në Komisionin e Senatit për Financat propozuan të hënën ndryshime madhore në ligjin e ish-Presidentit Trump për reforma në kodin fiskal, për të eliminuar ato që i cilësojnë si subvencione për korporatat që të zhvendosin një pjesë të aktivitetit në vende të tjera për të shmangur taksat.

Plani i propozuar nga senatorët demokratë Ron Wyden, Sherrod Brown dhe Mark Warner vjen në një kohë kur Presidenti Biden ka propozuar rritje të taksave mbi korporatat për të financuar planin e tij infrastrukturor prej 2 trilionë dollarësh. Senatorët kanë vënë në shenjestër disa klauzola të ligjit që specifikon se si taksohen të ardhurat e korporatave nga aktiviteti i kryer jashtë Shteteve të Bashkuara.

Synimi i ligjit të ish-Presidentit Trump ishte që kompanitë të mund të kthenin në SHBA fitimet që kishin bërë jashtë vendit mepërqindje më të ulëta taksash, me shpresën se do t’i investonin këto fitime në tregun amerikan. Por, siç thonë demokratët, në praktikë këto klauzola shërbyen si nxitje që kompanitë të investonin më tepër jashtë vendit për të shfrytëzuar përqindjet më të ulëta të taksave.

“Shumë nga këto kompani nuk i transferonin aspak këto fitime në SHBA. Ata që i transferonin, e bënin për të blerë aksionet e kompanive të tyre,” tha Senatori Warner për gazetarët. Plani i demokratëve i rrit këto taksa thuajse në nivelin që vendosen normalisht mbi korporatat. Sipas autorëve të propozimit, ndyshimet do të krijojnë shtysë për korporatat që të investojnë në kërkim-zhvillim në Shtetet e Bashkuara si dhe për të zhvendosur selitë e operacioneve të tyre në SHBA.

Pritet që propozimi të ndeshë rezistencë të fortë nga republikanët, të cilët kanë kritikuar edhe planet e Presidentit Biden për të rritur taksat mbi korporatat, duke ngritur shqetësimin se këto masa ulin aftësinë e këtyre kompanive për të konkuruar. Për të arritur miratimin e planit për modernizimin e infrastrukturës, Presidentit Biden i duhet mbështetja e të 50 demokratëve në Senat.

Presidenti Biden ka propozuar rritjen nga 21 në 28% të taksës mbi korporatat si dhe ka ngritur idenë e një takse globale minimale që do të negociohej mes ekonomive kryesore të botës. Sekretarja e Thesarit Janet Yellet shprehu mbështetje për idenë e taksës minimale globale në takimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA