Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, propozoi shkarkimin e ministrit të Drejtësisë në vend, Vlladimir Leposaviq, për shkak të qëndrimit të tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, Krivokapiq tha se e ka dërguar këtë propozim në parlamentin e Malit të Zi.
Gjatë një seance parlamentare më 26 mars, Leposaviq tha se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”. Me këtë deklaratë, ai ka sfiduar edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.
“Pas deklaratës së diskutueshme i kam dërguar një mesazh, që ai duhet të dalë vetë nga ajo që ka gatuar po vetë. Kam menduar se reagimi i tij do të ishte i atillë që të amortizonte atë që është thënë, por ai mbeti me prapavijë të njëjtë”, tha Krivokapiq, duke iu referuar deklaratës së dytë të Leposaviqit, tre ditë më vonë, duke shprehur të njëjtat pikëpamje. Deklarata e Leposaviqit nxiti reagime të shumta nga publiku vendas dhe ndërkombëtar dhe u kërkua dorëheqja e tij. Po ashtu ka pasur thirrje për reagim të prokurorisë. Kryeministri Krivokapiq tha se detyrim i Leposaviqit ka qenë që t’i përgjigjej pyetjes parlamentare rreth Srebrenicës në frymën e politikës së Qeverisë, e jo në frymën e debatit akademik.
“I kam kërkuar dorëheqjen sepse është më mirë që me një akt personal, të tregojmë përgjegjësi”, tha Krivokapiq. Pasi ai mbajti të njëjtin qëndrim, propozova shkarkimin, shtoi kryeministri malazez duke nënvizuar se është e papranueshme që si ministër drejtësie, ai të shprehë pikëpamjet e tij private.
Edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë, duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrimin në BE, duhet të jenë të gatshëm t’i respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Top Channel