Kryeministri britanik, Boris Johnson, do të njoftojë një seri masash lehtësuese, duke përfshirë edhe pasaportat e brendshme të vaksinimit.
Stadiumi Wembley do të përdoret për të testuar pasaportat e vaksinave, kurse një numër vendesh gjatë natës në Liverpool do të përdoren për prova para dhe pas testimit të COVID-19.
Ndeshjet e futbollit ku do të provohet skema e pasaportave të vaksinave janë gjysmëfinalja e Kupës FA midis Leicester City dhe Southampton më 18 prill, finalja e Kupës Karabao midis Manchester City dhe Tottenham më 25 prill dhe finalja e Kupës FA më 15 maj.
Testimi para dhe pas në Liverpool do të zhvillohet në klubin e komedisë “Hot Water” më 16 prill, Kinemanë Luna nga 23-25 prilli, në një ngjarje biznesi në qendrën e konferencave ACC më 28 prill, dhe klubin e natës Cirk nga 30 prilli deri në 1 maj.
Sa i përket udhëtimeve jashtë vendit, qeveria do të zbulojë gjithashtu një sistem rregullash “semafor”. Për destinacionet e gjelbra nuk do të kërkohet karantinë, por vendet e kuqe dhe portokalli do të kërkohet karantinë. Vendet e huaja do të klasifikohen sipas grupeve në varësi të nivelit të infeksionit dhe vaksinimit.
Johnson u citua nga media lokale të ketë thënë se: “Ne kemi bërë përparime të mëdha gjatë muajve të fundit me programin tonë të vaksinimit dhe të gjithë në vend kanë bërë sakrifica të mëdha për të na sjellë në këtë fazë të rimëkëmbjes nga COVID-19”.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të mundësuar rihapjen e vendit tonë në mënyrë që njerëzit të mund të kthehen në ngjarje, udhëtime dhe gjëra të tjera që ata duan sa më të sigurt, ndërsa këto rishikime do të luajnë një rol të rëndësishëm në mundësimin e kësaj”, shtoi ai.
Ministri i Kabinetit Michael Gove shkroi në “Sunday Telegraph” se : “Vaksinimi është një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm, por kurrë nuk mund të sigurojë 100 për qind mbrojtje. Prandaj, ne duhet të shohim të gjitha opsionet e disponueshme që të sigurojmë rrugën më të shpejtë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme për kthimin në normalitet”.
Njerëzit do të mund të provojnë statusin e tyre të koronavirusit si në mënyrë digjitale ashtu edhe përmes mjeteve jo digjitale.
Qeveria britanike tha se skema nuk duhet të përdoret për transportin publik ose pub-et, restorantet dhe shitjet me pakicë. Tre nga këto të fundit do të rihapen më 12 prill.
Skema ka nxitur një reagim parlamentar, ku 72 deputetë thonë publikisht se kundërshtojnë planin pilot si “përçarës dhe diskriminues”. Shumica e këtyre “disidentëve” janë nga Partia Konservatore në pushtet e Johnson.
Top Channel