Më 18 tetor të 2019-ës, pikërisht këtu në rrugën Ramazan Bogandi, pranë ish frigoriferit në Tiranë, iu vu një sasi eksplozivi një automjeti tip Benz.

Shpërthimi u krye në distancë pa shkaktuar dëme në njerëz. Automjeti rezulton të ishte në pronësi të Artion Bylykut, i cili është edhe kunati i Domart Konjarit.

Detajet e kësaj ngjarjeje dolën në dritë, pas deklarimeve në prokurori të të arrestuarit Enver Jamaku, i cili së bashku me kushëririn e tij Ermond Jamakun, kryen atentatin  e dështuar. Por historia e kësaj ngjarjeje, bazuar deklarimeve të tij është më e gjerë.

Shënjestra nuk ishte Bylyku, por Domart Konjari. Kushërinjtë Jamaku, ishin porositur nga Flor Abazi, Blendi Deda dhe Paris Deda, për eleminimin fizik të Konjarit. Të tre porositësit, u arrestuan në datën 1 prill të këtij viti, pasi ishin pjesë e grupit të strukturuar për modifikimin dhe shitjen e armëve, me 18 baza në Tiranë.

Ata, u kishin premtuar kushërinjve Jamaku, shuma të mëdha parash për të kryer këtë atentat. Në dispozicion u kishin vënë një makinë për të ndjekur shënjestrën për disa ditë, duke iu dhënë edhe një fotografi të Konjarit dhe makinës me të cilën ai lëvizte. Porositësit, u dhanë edhe dy mina me shpërthim të telekomanduar për të realizuar vrasjen, që mbeti në tentativë.

Deklarimet e Enver Jamakut, zbardhën edhe dy ngjarje të tjera kriminale, që po ashtu mbetën në tentativë. Atentati i dështuar ndaj avokatit Paulin Papleka dhe shpërthimi në banesën e Edmond Saraçit.

Kushërinjtë Jamaku u arrestuan në shkurt të këtij viti, pasi në datën 9 të po të njëjtit muaj, i vendosën tritol makinës së Gjon Menës, në Kamëz, i cili mori plagë të lehta në këmbë.

Deklarimet që Enver Jamaku dha përpara hetuesve, çuan edhe në zbulimin e grupit të strukturuar, ku u arrestuan 9 persona dhe dy u shpallën në kërkim, pasi modifikonin dhe shisnin armë tek grupet kriminale për të kryer vrasje apo dhënë edhe mesazhe.

Top Channel