Teuta kërkon revanshit ndaj Laçit në një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 26-të të Kategorisë Superiore, që do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Trajneri Edi Martini në konferencën për shtyp analizoi bregdetarët dhe foli për rëndësinë e përballjes me kurbinasit, një rival direkt për objektivin titull.

Sa e rëndësishme është përballja me kurbinasit?
Rëndësia është e madhe, pasi jemi dy skuadra që pretendojmë të marrim trofeun. Ndeshja është shumë e fortë dhe jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Me përjashtim të Kouros që ka pësuar një dëmtim dhe Grudës që nuk është pjesë e skuadrës këtë javë, pjesa tjetër është në rregull. Jemi stërvitur mirë, dëshira është e madhe dhe të gjithë mezi po e presim ndeshjen.

Statistikat janë në favor të Laçit. A mendoni se Teuta do t’i përgënjeshtrojë ato?
Djemtë i kanë të gjitha mundësitë, jam shumë i gëzuar për faktin që kanë bërë një stërvitje intensive. Kanë entuziazëm në stërvitje, gjë që më bën të besoj se nesër mund t’ia dalim. Ne kemi lojtarë mjaft të mirë në fazën ofensive. Jam i bindur që në çdo moment të ndeshjes munden të ndëshkojnë kundërshtarin.

A mendoni se kjo është ndeshje vendimtare në garën për titull?
Sfida me Laçin është shumë e rëndësishme, është një ndeshje ndaj një rivali direkt. Diferenca është vetëm një pikë. Normalisht që është një takim delikat, ku një fitore do na bënte shumë punë për të ecur drejt kreut. Janë edhe dhjetë ndeshje të tjera, por duke pasur parasysh që është rivali direkt, merr një rëndësi të madhe.

Teuta vuan shumë shënimin e golit…
Kam besim absolut te këta djem, ndaj nesër duhet të jenë të gatshëm, të qartë dhe të qetë përpara portës, që është më kryesorja. Shpresoj të shënojmë, por nuk ka rëndësi se kush shënon, një mbrojtës apo mesfushor. Jemi në fazën e fundit të kampionatit, po shkojmë drejt fundit. E rëndësishme është fitorja, nuk ka rëndësi kush shënon.

Si e shpjegon “shterpësinë” e Krasniqit?
Kam besim te Blerimi, është një djalë që ka forcë të jashtëzakonshme, është një lojtar potent. Nuk ka shënuar shumë gola, kjo shihet qartë, megjithatë kam besim në çdo moment se do të shënojë, pse jo edhe në ndeshje delikate. Ndaj Partizanit shënoi një gol shumë të bukur në barazimin 1-1, shpresoj, mendoj dhe kam besimin se nesër do arrijë të tundë rrjetën.

Teuta nuk është ngjitur asnjëherë në krye këtë sezon. A mund ta mbyllë kampionatin në krye?
Ne jemi që në fillim të kampionatit në ndjekje të Vllaznisë, Laçit apo Partizanit. Kemi bërë jo shumë mirë, pasi kemi patur mundësi të bënim edhe më mirë, por më mirë është ta ndjekësh kundërshtarin deri në fund të kampionatit dhe ta kalosh në finish, se sa ta mbash dhe ta lëshosh vendin e parë.

Ndiheni me fat që do të përballeni me Skënderbeun në gjysmëfinalen e Kupës?
Jam shumë i fokusuar te ndeshja me Laçin, problemi i fundit është ndeshja e Kupës. Pas dy javësh që do të jetë ajo ndeshje, kemi kohë të bisedojmë, por e rëndësishme është sfida me Laçin.

Cilën do të preferonit në finale, Laçin apo Vllazninë?
Tani nuk kam asnjë mendim për Kupën, jam i fokusuar totalisht te ndeshja e nesërme dhe nuk kam dëshirë të flas për asgjë tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA