Bilanci i viktimave të aksidentit tragjik në Tajvan, ku një tren i mbushur me pasagjerë u përplas në hyrje të një tuneli ka shkuar në 50 dhe pritet të rritet akoma më tej. Zyrtarët ndërkohë kanë nisur hetimet.
Prokurorët në Tajvan kërkuan arrestimin e menaxherit të një kantieri ndërtimi, kamioni i të cilit dyshohet se shkaktoi aksidentin hekurudhor që i mori jetën të paktën 50 personave një ditë më parë.
Kamioni u gjend mbi shina dhe treni e goditi ndërsa po hynte në një tunel, të premten. Skuadrat e shpëtimit duhet të nxjerrin ende vagonët e parë të dëmtuar që ndodhen brenda tunelit dhe druajnë se mund të gjejnë akoma më shumë trupa. Treni ishte i mbushur me njerëz që udhëtonin për të festuar një ditë të shënuar tajvaneze. Aksidenti i së premtes është katastrofa më e rëndë hekurudhore në dekada të tëra në ishull.
Treni duhej të udhëtonte nga kryeqyteti Taipei në Taitung dhe po hynte në tunelin në veri të Hualienit, kur ndodhi aksidenti. Shumë nga rreth 500 pasagjerët në bord mund të kenë qenë në këmbë sepse treni ishte i mbushur plot. Ky i fundit është një nga më të shpejtët në sistemin hekurudhor në Tajvan dhe mund të arrijë shpejtësinë e 130 km në orë. Presidenti i Tajvanit vizitoi një spital në Hualien të shtunën për të takuar të lënduarit dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.
Sipas shifrave, numri i viktimave është më i larti për një aksident hekurudhor në Tajvan, në 73 vite. Në vitin 1948, në distriktin Xindian në Taipei, një pasagjer kishte marrë me vete materiale të diegshme në tren duke bërë që një zjarr të përfshinte katër vagonë dhe duke i marrë jetën kështu 64 personave.
Top Channel