Ministria e Punëve të Brendshme e Tunizisë ka bërë të ditur se tre terroristë dhe një foshnje janë vrarë gjatë dy operacioneve të sigurisë në vend.

Në një njoftim, ministria e vendit tha se ka kryer një operacion paraprak të sigurisë së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes në rajonin Djebl Mghila.

Ministria po ashtu njoftoi se forcat e sigurisë “vranë një udhëheqës të grupit të Ushtarëve të Kalifatit, Hamdi Zhuibb, si dhe gjetën me të një armë snajper Steyr”.

Në njoftim theksohet se Zhuibb ishte një udhëheqës i organizatës terroriste Ushtarët e Kalifatit, i lidhur me DEASH-in, si dhe shtohet se grupi “ka qenë i përfshirë në shumë operacione terroriste”.

Më tej, u njoftua se një njësi e Gardës Kombëtare Tuniziane “vrau një terrorist në Djebel Selloum i cili shoqërohej nga gruaja e tij e huaj”.

“Gruaja e hodhi në erë veten duke përdorur një rrip shpërthyes që rezultoi në vdekjen e vajzës së saj të vogël”, thuhet në njoftim.

Që nga viti 2013, Tunizia ka pësuar disa sulme terroriste që morën jetën e shumë personave të forcave të sigurisë dhe ushtrisë, si dhe turistëve të huaj.

Në muajin mars të vitit 2016, DEASH kreu një sulm në një stacion të Gardës Kombëtare Tuniziane në qytetin Ben Gardane, afër kufijve libian, duke lënë të vdekur 12 persona të forcave të sigurisë tuniziane, së bashku me 55 militantë.

Top Channel