Mesila Doda, kandidatja e 12-të në qarkun e Tiranës për deputete në listat e PD-Aleanca për Ndryshim, ishte e ftuar pasditen e sotme në emisionin Top Talk të drejtuar nga Denis Dyrnjaja.
Nisur nga përplasja e një dite më parë mes PDIU dhe LSI për të zgjedhur përfaqësuesin në komisionet e numërimit, Doda u shpreh se nuk ka armiqësi, por thjesht duhet të shikohet e drejta juridike që jep Kodi Zgjedhor.
Ajo u shpreh se sipas kodit do të duhet shorti mes PDIU dhe LSI për numëruesin e katërt duke theksuar se është marrë një vendim për të ruajtur një ekuilibër politik.
Denis Dyrnjaja: PDIU humbi mundësinë për të pasur përfaqësuesin në komisionet e numërimit, si do t’i ruani votat?
Mesila Doda: Ishte një vendim për të mbajtur ekuilibrat politikë, ndërkohë Kodi Zgjedhor e ka të qartë se cilat forca duhet të jenë. Besoj që është hapi i parë, duke dhënë mundësi që të shikojmë, do ta apelojmë si vendim, është diçka që na takon na e jep kodi, për fat të keq nëse nuk ke një numërues nuk ke mundësi ta ruash votën.
Denis Dyrnjaja: A keni frikë se votat mund të vidhen?
Mesila Doda: Ne jemi në një koalicion, sigurisht votat kanë përfaqësuesit por ajo që është më e rëndësishme janë marrë të gjitha masat që të kemi edhe regjistrime, mbetet akoma për të parë nëse do të jetë numërimi për kandidatët apo për partitë. Do të duhet ta ndjekim hap pas hapi.
Denis Dyrnjaja: Formula e komisioneve është 2 PS, 1 PD dhe 1 LSI, pritet një shtesë apo reduktim?
Mesila Doda: Sipas kodit do të duhet shorti që për numëruesin e katërt është një short mes nesh dhe LSI. Besoj është marrë një vendim për të ruajtur një ekuilibër politik.
Denis Dyrnjaja: U duk një klimë jo fort komode që dy partnerët të përplasen.
Mesila Doda: Nuk ka asnjë përplasje, por gjithsecili mendon se ka një vend një e drejtë juridike, nuk ka armiqësi, do të duhet që ta heqim idenë që ka një përplasje, thjesht të shikojmë të drejtën juridike që na jep kodi.
Top Channel