Sergio Ramos luajti pak minuta në ndeshjen kundër Kosovës, duke u hedhur në fushë në të 86-tën, por qëndroi duke u stërvitur edhe pas vërshëllimës së trefishtë të kryesorit. Për fatë të keq, ai ndjeu një shqetësim në pulpë. Vetë lojtari e hodhi poshtë mundësinë e aktivizimit me Realin në sfidat e radhës kundër Eibarit, Liverpoolit dhe Barcelonës.
“E vërteta është që për disa javë kam kaluar një periudhë mjaft të vështirë. Një ndërhyrje gjithmonë ndikon në formën sportive dhe emocionale. Për fat të mirë, tani jam ndier më mirë, por në futboll, si në jetë, fati i keq gjithashtu luan rol”, – e nis rrëfimin qendërmbrojtësi, i cili shpjegon më tej se si ndodhi fatkeqësia e tij e re.
“Dje, pas ndeshjes, isha duke u stërvitur në fushë dhe ndjeva një shpim në pulpën e këmbës së majtë. Testet mjekësore konfirmuan se kam dëmtim të muskujve.”
Ramos, ndjen keqardhje për faktin se nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë ekipin në disa ndeshje, edhe pse vetë klubi i Realit të Madridit nuk ka dhënë asnjë detaj mbi kohën e riaftësimit të 35-vjeçarit.
“Nëse ka diçka që më lëndon, do të thotë se nuk jam në gjendje ta ndihmoj ekipin në këto ndeshje vendimtare, në të cilat luajmë sezonin.”
Reali i Madrid do të përballet me Eibarin këtë të shtunë, në La Liga, për t’u ndeshur më pas me Liverpoolin në Champions. Mes dy takimeve me “The Reds” do të luajë në “El Clasico”, kundër Barcelonës.
Top Channel