Kompania amerikan, Pfizer thotë se vaksina që ka prodhuar kundër koronavirusit, në bashkëpunim me kompaninë gjermane, BioNTech, parandalon 91 për qind të rasteve me koronavirus gjashtë muaj pasi personat imunizohen me këtë vaksinë.
Në një studim të ndarë, thuhet se edhe personat 80-90 vjeç prodhojnë nivele të larta të antitrupave, pasi marrin dy dozat e kësaj vaksine. Megjithatë, sipas gjetjeve të këtij studimi, vetëm 63 për qind prej tyre prodhojnë qelizat T, që ndihmojnë që antitrupat e krijuar të qëndrojnë për një kohë të gjatë, transmeton BBC.
Megjithatë, kompanitë Pfizer/BioNTech ende nuk e dinë saktë se për sa kohë njerëzit janë të mbrojtur nga COVID-19 pasi të kenë marrë të dy dozat e vaksinës.
Vaksina e Pfizerit është thënë se është mbi 95 për qind efektive ndaj sëmundjes COVID-19.
Pfizer tha se ka analizuar të dhënat e 46.000 njerëzve që kishin marr pjesë në studimet klinike, pikërisht gjashtë muaj pasi ata kishin marr dozën e dytë të vaksinës.
Gjithashtu, 800 pjesëmarrës në këtë studim ishin nga Afrika e Jugut dhe kompania Pfizer tha se vaksina ishte njëjtë e efektshme ndaj variantit të koronavirusit që është zbuluar në këtë shtet, pavarësisht se studimet laboratorike sugjerojnë se antitrupat që krijojnë personat ishin më pak efektive për të luftuar variantin e Afrikës së Jugut, që thuhet se është më ngjitës.
“Efikasiteti i lartë i vaksinës që është parë pas gjashtë muajsh nga doza e dytë edhe ndaj variantit të Afrikës së Jugut na jep besim më të madh ndaj efikasitetit të përgjithshëm të vaksinës sonë”, tha shefi i Pfizerit, Albert Bourla.
Ndërkaq, një studim i kryer nga Universiteti i Birminghamit, ka vëzhguar se çfarë ndodh në sistemin imunitar të personave të moshuar, nga 80 deri 96 vjeç, pasi marrin vaksinën. Në gjakun e tyre, sipas këtij studimi, është parë nivel i lartë i antitrupave, që janë në gjendje të neutralizojnë variantin fillestar të COVID-19.
Por, studimi gjeti se ndaj variantit të COVID-19 të identifikuar në Brazil, antitrupat ishin 14 herë më pak efektive.
Studime të ngjashme, si kjo e Pfizer/BioNTech po kryhen edhe nga prodhues të tjerë të vaksinave kundër koronavirusit, përfshirë edhe kompaninë britanike AstraZeneca. Por, këto kompani ende nuk kanë publikuar gjetjet e tyre.
Top Channel