Koreja e Veriut mbledh të mëdhenjtë/ SHBA, Japoni e Kore e Jugut, samit urgjent

02/04/2021 11:27

Çdo aspekt i politikës ndaj Koresë së Veriut” do të diskutohet kur këshilltarët e sigurisë kombëtare nga SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia të takohen të premten, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane.

Ky është takimi i parë trepalësh i këtij lloji, që kur Joe Biden u bë president. Analistët thonë se bisedimet zhvillohen, ndërkohë që, ekzistojnë dallime të rëndësishme në qëndrimin ndaj Koresë së Veriut mes Washingtonit, Seulit dhe Tokios. Provokimet e fundit të Phenianit me lëshimin e raketave, reagimi koreano-verior ndaj koronavirusit si dhe diskutimet e fundit mes Kinës dhe Koresë së Veriut janë në agjendën e takimit, sipas zyrtarit amerikan, i cili tha se “synimi ynë është të bëjmë një analizë të thellë që të na shërbejë për të udhëhequr procesin në të ardhmen”.

Takimi në Akademinë e Marinës në Anapolis të Merilandit, zhvillohet, pasi Koreja e Veriut kreu prova me raketa kruz si dhe me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.”Çdo gjë që bëjmë në drejtim të Koresë së Veriut, ne besojmë se duhet bërë në partneritet dhe në harmoni me Japoninë dhe Korenë e Jugut”, tha zyrtari i lartë i administratës, i cili bëri komente me kusht që të mos identifikohej.

Bisedimet në Akademinë e Marinës pasojnë vizitën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin, në Japoni dhe Korenë e Jugut. Këto vizita kanë për qëllim të dëshmojnë se Presidenti Biden po përpiqet të fuqizojë aleancat e Amerikës në Azi, pas tronditjeve të shkaktuara gjatë administratës së mëparshme.

Ish-presidenti, Donald Trump kritikoi Tokion dhe Seulin se po “shfrytëzonin” Amerikën dhe nuk kontribuonin sa duhet për nevojat e veta mbrojtëse nën ombrellën bërthamore të Amerikës.

Top Channel