Kongresi apo presidenti/ Kush do ta ketë autoritetin për të shpallur luftë

02/04/2021 21:05

Ligjvënësit amerikanë po rishikojnë një ligj të miratuar dekada më parë, që i jep presidentit të Shteteve të Bashkuara fuqinë të zhvillojnë luftë jashtë vendit.

Kongresi mund të përpiqet ta rimarrë këtë lloj autoriteti. Për herë të parë pas pothuajse dy dekadash po shqyrtohen autorizimet nga Kongresi që justifikuan konfliktet në Afganistan dhe në Irak, të cilat u shtrinë më tej me angazhimet në Siri dhe Jemen, apo me goditjen ajrore ndaj gjeneralit iranian Qassem Suleimani.

“Për 20 vjet, administratat e njëpasnjëshme kanë interpretuar dhe ri-interpretuar tekstin e asaj rezolute për ta përdorur në vende të reja, të radhitura në një listë gjithnjë në zgjerim dhe me pak lidhje me njëra-tjetrën. Ky proçes e ka përjashtuar Kongresin nga përgjegjësia e tij themelore për të vendosur për çështje të luftës dhe paqes”, thotë Ligjvënësi Gregory Meeks, kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve.

Sipas Kushtetutës amerikane, Kongresi ka fuqinë të shpallë luftë, por Autorizimet e Përdorimit të Forcës Ushtarake të miratuara në 2001 dhe 2002 u dhanë presidentëve amerikanë autoritet të gjerë për t’u angazhuar në vende të tjera. Debati u rindez këtë muaj pas tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Shtëpia e Bardhë sinjalizoi se është e gatshme të punojë me Kongresin për t’i shfuqizuar këto autorizime dhe për të krijuar kështu një kuadër më të ngushtë. Përpjekjet e mëparshme për të shfuqizuar autorizimet janë përballur me kundërshtime jo vetëm nga presidentët e të dyja kaheve politikë, por edhe me kritikat e republikanëve se një gjë e tillë mund të dëmtojë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të reaguar ndaj rrezikut të terrorizmit.

Kur Biden ishte senator punoi për një mbikëqyrje më të madhe ndaj autoritetit të presidentit për luftë. Tani që ai gjendet në Shtëpinë e Bardhë, është krijuar ndjesia se Kongresi mund të rivendosë kontrollin ndaj një prej përgjegjësive të tij më të rëndësishme.

Top Channel