Gati 100 milionë të vaksinuar kundër koronavirusit në SHBA

02/04/2021 16:16

Numri i personave të vaksinuar kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara po i afrohet 100-milionëshit.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA thanë se mbi 99.6 milionë njerëz, apo 30 për qind e popullsisë amerikane, e kanë marrë së paku një dozë të vaksinës.

Sipas tyre, rreth 56 milionë njerëz e kanë përfunduar komplet vaksinimin. Kur presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën më 20 janar, ai ka vendosur si qëllim dhënien e 100 milionë vaksinave në 100 ditët e para në detyrë.

Synimi i ri është dhënia e 200 milionë dozave. Dy vaksina që përdoren në SHBA, Pfizer/BioNTech dhe Moderna, jepen me nga dy doza, ndërsa Johnson&Johnson me një.

Numri i të infektuarve me koronavirus është përsëri në rritje në SHBA, por larg niveleve të para në janar.

Mesatarja shtatëditore e rasteve është rritur në rreth 66,000.

Numri i viktimave është mesatarisht 900 në ditë, shumë më poshtë se gjatë disa periudhave të kulmit pandemik në SHBA, kur ka qenë 3,000 në ditë.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi. Mbi 30 milionë njerëz atje janë infektuar dhe mbi 553,000 kanë vdekur.

Top Channel