Greqia lehtëson masat/ Nga e hëna hap dyqanet dhe bizneset e vogla nën masa të forta

01/04/2021 01:17

Pavarësisht se Greqia përsëri ka regjistruar mbi 3600 të prekur në 24 orët e fundit, shifra e dytë më e lartë prej fillimit të pandemisë, autoritetet kanë deklaruar mbrëmjen e së mërkurës lehtësimin e disa masave kufizuese.

Kështu prej të hënës që vjen hapen bizneset e vogla nën rregulla të forta dhe me teste dy herë në javë për të punësuarit, duke lejuar çdo qytetar me anë të sms të ketë një periudhe kohore prej 3 orësh për të kryer blerjet jashtë dyqaneve me anë të rezervimeve telefonike, por edhe brenda tyre duke u lejuar vetëm një person në 25 metra katrorë.

Nga kjo masë përjashtohen ende për këtë fazë qendrat e mëdha tregtare, ndërsa për shkollat do vendoset javën që vjen. Gjithashtu prej kësaj fundjave vetëm për të shtunat e të dielat do të lejohen lëvizjet edhe në bashkitë e tjera.

‘Prej kësaj të shtune 3 prill dhe vetëm për të shtunat e të dielat të lejohet me anë të kodit 6 të sms lëvizja me makine jashtë bashkisë deri në 3 persona apo e një familjeje duke ju shmangur vendeve me shumë njerëz’- tha Nikos Hardhalias, zv-ministër i Mbrojtjes Civile. Ndërsa ky lehtësim konsiderohet si frymëmarrje për qytetarët e lodhur nga kufizimet 5 mujore dhe të gjunjëzuar ekonomikisht, punonjësit në një nga spitalet kryesore të Athinës, kanë protestuar duke kërkuar më shumë mjekë dhe personel për të përballuar presionin mbi sistemi spitalor.

‘Ndërsa ne fillimisht morëm duartrokitje, duke punuar përtej çdo imagjinate, me të gjithë kolegët e çdo specialiteti, pa ditë pushimi, pa pushime, tani jemi në një situatë ku po marrim “shuplaka” nga administrata’- tha Anna Kalouri, infermiere e repartit Covid-19.

Ndërsa gjysmat e rasteve të të prekurve të së mërkurës janë regjistruar në Athinë dhe gati 500 në Selanik duke shkaktuar alarm tek autoritetet mjeksore. Shqetësim ka ende për të intubuarit që vazhdojnë te jenë 740, ndëkorhë që edhe 76 persona kanë humbur jetën nga Covid-19 në 24 orët e fundit.

Top Channel