Sulmet e kryeministrit Rama, reagon Voltana Ademi: Duke sulmuar Shkodrën, dëshmon frikën që po jeton ditët e fundit të pushtetit

31/03/2021 19:58

Kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar pas kritikave të kryeministrit Edi Rama gjatë takimit me qytetarët e kësaj zone ditën e sotme.

Ajo tha se Rama duke sulmuar Shkodrën, qytetarët dhe vetë atë  dëshmon frikën dhe dobësinë e dikujt që po jeton ditët e fundit të pushtetit.

“Pas 8 vjet dështimesh në çdo fushë, pas 8 vitesh ku të vetmit që fituan ishin oligarkët e tij, pa asnjë bilanc konkret dhe asnjë arritje Edi Rama, i lodhur dhe i pashpresë mundohet të hedhë baltë mbi PD-në, drejtuesit dhe anëtarët e simpatizantët e saj si e vetmja mënyrë komunikimi që i ka mbetur për të folur me shqiptarët. Sot nga Shkodra ai më sulmoi me gjuhën dhe fjalorin e vetëm që ai njeh, atë të fyerjes dhe sharjes. Shkodra e qytetarisë dhe e kulturës nuk e ka pranuar as në kohët e egra të komunizmit arrogancën e pushtetit. Aq më pak mund ta pranojë sot. Duke sulmuar Shkodrën, qytetarët e saj dhe mua si kryetare e bashkisë, Edi Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se dëshmon frikën dhe dobësinë e dikujt që po jeton ditët e fundit të pushtetit. Njeriu që s’ka mbajtur asnjë premtim dhe që e ngeci Shqipërinë për 8 vjet, sot sillet rrugëve të vendit me arrogancë”, tha Ademi.

Top Channel