Me 30 Mars 2021, Arben Kraja (Drejtues i Prokurorisë së Posaçme) dhe Frederic Van Leeuw (Prokuror Federal i Belgjikës) nënshkruan online Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Shqipëri (SPAK) dhe Zyrës Federale të Prokurorisë të Mbretërisë së Belgjikës.
Objekti i këtij Memorandumi është bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe pastrimit të produkteve nga aktiviteti kriminal.
Zyra e Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës dhe autoritetet e prokurorisë shqiptare kanë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi duke filluar nga viti 2011 kur është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme Shqipëri. Gjatë 10 viteve të shkuara ka patur bashkëpunim të ngushtë dhe të suksesshëm ndërmjet dy vendeve.
Nisur nga situata aktuale, krijimi dhe fillimi i funksionimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) u konsiderua si domosdoshmëri dhe vlerë e shtuar vendosja e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve me synim realizimin e objektivave të tyre në të ardhmen.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit magjistratët e dy vendeve nënvizuan rëndësinë e besimit reciprok dhe vendosjen e objektivave të përbashkëta në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe pastrimit të produkteve nga aktiviteti kriminal.
Top Channel