Rreth 4,000 migrantë mbipopullojnë një qendër në Teksas, shumica fëmijë

31/03/2021 06:58

Për herë të parë të martën administrata Biden lejoi gazetarët të hyjnë brenda institucionit kryesor të paraburgimit që ndodhet në kufi, duke nxjerrë në pah një strukturë tejet të mbipopulluar me më shumë se 4,000 njerëz në të, përfshirë fëmijë e familje. Ata kishin tejmbushur një hapësirë të parashikuar për 250 vetë. Presidenti Joe Biden ka qenë nën presion për të garantuar më shumë transparencë lidhur me situatën në kufi në kushtet kur javët e fundit kanë hyrë në vend nga Meksika me mijëra fëmijë e familje.

Agjencia e Doganave dhe e Mbrojtjes së Kufirit lejoi dy gazetarë të agjencisë së lajmeve “The Associated Press” dhe një grup xhirimi të rrjetit televiziv CBS të vizitonin qendrën për migrantët në Dona të Teksasit, me kushtin që ata të ndajnë informacionin me mediat e tjera.

Më shumë se 4,100 persona ndodheshin në këtë qendër të martën, 3,400 prej tyre fëmijë të pashoqëruar nga prindërit ndërsa pjesa tjetër njerëz që kishin ardhur me familjet e tyre, një përzierje prindërish e fëmijësh. Shumica ishin fëmijë të pashoqëruar, dokumentet e të cilëve përpunohen në çadra, përpara se ata të dërgohen në ambiente që menaxhohen nga Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore dhe më pas të vendosen me një anëtar të familjes, të afërm ose person që shërben si garant për ta.

Fëmijët mbaheshin në ndarje të formuara nga qese plastike. Shumë prej ndarjeve kishin më shumë se 500 fëmijë, të vendosur pranë njëri-tjetrit dhe shumë prej tyre shtriheshin në tokë në shtroja e batanije prej letre alumini. Të martën, gazetarët panë disa fëmijë në proces përpunimi të dokumentave për azil. Ata hynë në një dhomë të vogël ku kontrolloheshin për morra dhe u bëhej vizitë mjeksore. Ndaj tyre nuk bëhej asnjë test për COVID-19 përvec rasteve kur fëmijët shfaqnin ndonjë simptomë.

Administrata Biden vazhdon të dëbojë të rriturit që përpiqen të kalojnë kufirin nën një dokument mbi shëndetit publik të lidhur me koronavirusin të miratuar nga ish-Presidenti Donald Trump. Presidenti Biden gjithashtu është përpjekur të dëbojë shumicën e familjeve që udhëtojnë së bashku, por ndryshimet në ligjin meksikan kanë detyruar agjentët që të lirojnë shumë prindër e fëmijë të tyre duke i lejuar të hyjnë në SHBA.

Zoti Biden nuk ka pranuar të vërë në zbatim praktikat e administratës Trump për dëbimin e fëmijëve emigrantë të pashoqëruar. Disa qindra fëmijë dhe adoleshentë kalojnë kufirin çdo ditë, shumica largohen nga dhuna, varfëria ose efektet e katastrofave natyrore në Amerikën Qendrore. Në disa raste, prindërit që janë refuzuar të hyjnë në SHBA i kanë dërguar fëmijët e tyre vetëm përtej kufirit, duke shpresuar se ata do të strehohen tek të afërmit e tyre në SHBA.

Patrulla Kufitare po kap çdo ditë më shumë fëmijë duke krijuar një ngërç të madh për sistemin. Në përgjithësi Patrulla Kufitare supozohet t’i mbajë fëmijët jo më shumë se tre ditë, por Shërbimet Shëndetësore dhe Njerëzore nuk kanë më hapësirë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA