Nis zgjedhja e teksteve shkollore/ Zgjedhja e librave të rinj do të realizohet online me mësuesit

31/03/2021 15:26

Nga 29 marsi deri në 2 prill në institucionet arsimore do të realizohet përzgjedhja e teksteve shkollore për vitin e ri mësimor 2021-2022.

Mirëpo për shkak të pandemisë edhe diskutimi i mësuesve për zgjedhjen e librave më të mirë që do të bëjnë mësim nxënësit vitin që vjen do të zhvillohet kryesisht në distancë si dhe do të regjistrohet për të shmangur favorizimet e shtëpive botuese.

Teuta Braçaj: “Në këto mbledhje online është e detyrueshme të regjistrohet biseda nga fillimi në fund pikërisht për këto altertekste. Herët e tjera kemi qenë në klasa e është mbajtur një procesverbal me shkrim . Gjithmonë janë mësuesit ata që ankohen që thonë ky tekst bën ky nuk bën tani nëse ai zgjedh një tekst që nuk i plotëson kriteret do ta ketë ai peshën ndërsa sa me te mire ta ketë librin nxënësi aq më mirë do eci edhe viti shkollor. Fat është edhe që nuk ka ndryshuar katologu i shtëpive botuese prej 3 vitesh dhe mësuesit tani i njohin i dinë kush janë tekstet që vërtet ndihmojnë nxënësin.”

Pasi kanë parë listën me tekstet e shtëpive botuese të ndryshme për të njëjtën lëndë, mësuesit duhet të zgjedhin alternativën më të mirë që përmbush disa kritere.

Teuta Braçaj:“Puna e parë përjashtohen të gjithë librat ku mësuesit e shkollës mund të jenë pjesë si autorë, redaktorë, ilustruesë.  Nuk zgjidhen pra gjithë librat që kanë konflikt interesi. Nga ana tjetër shikohet saktësia shkencore. Nëse nxit te nxënësi mendimin kritik, nëse ka ushtrime të qarta. Ka shkrim të kuptueshëm…”

Pas diskutimit virtual nëse mësuesit nuk ndajnë të njëjtin mendim për një tekst , atëherë përzgjedhja do bëhet me votim të fshehtë fizikisht në shkollë dhe kush botim ka më shumë vota do të blihet nga nxënësit. Pjesë e procesit të përzgjedhjes së teksteve shkollore mund të jenë edhe prindërit, të cilët shpeshherë janë ankuar për gabimet në to, edhe pse ata nuk kanë të drejtë në votim.

Top Channel