Banorët e këtij pallati në Vlorë, e kanë të vështirë që të lëvizin për shkak se në krah të tij, është ndërtuar ky objekt dy katesh.

Kjo zonë ishte parashikuar që të kthehej në një lulishte dhe për këtë ka pasur edhe një leje ndërtimi. Por një leje të dytë është dhënë për një ndërtim tjetër objektin që shihni në pamje.

Banorët e pallatit, pasi kanë hasur në vështirësi për të lëvizur dhe për të hyrë në apartamentet e tyre, i janë drejtuar gjykatës administrative Vlorë, me katër kërkesa padie, për pezullimin e lejes së ndërtimit.

Dy nga këto padi i kanë rënë gjyqtarit Bevis Shehaj, një padi Gjyqtares Gentiana Xhelili dhe një padi gjyqtarit Ken Dhima. Gjyqtari Bevis Shehaj ka bëre bashkimin e të katër padive në një të vetme. Rrjedhimisht duhej që Shehaj të njoftonte gjyqtarët e tjerë dhe të bënte bashkimin e të katër dosjeve fizike në një.

Më pas gjyqtari Bevis Shehaj, merr një vendim kundër banorëve, pa pasur dosjet përpara. 12 minuta më pas, gjyqtari Ken Dhima i cili nuk ishte

njoftuar për këtë vendimmarrje të Bevis Shehajt, merr në shqyrtim dosjen që i kishte rënë në short dhe sipas ligjit vendos që të pezullohen punimet. Në një afat kohor prej 12 minutash, jepen dy vendime të ndryshme nga e njëjta gjykatë, për të njëjtën çështje. Shkelja është e gjyqtarit Bevis Shehajt, pasi në kundërshtim me ligjin, ka marrë një vendim gjyqësor, pa pasur padinë dhe dosjen mbi tavolinë dhe gjobit banorët me 8 milionë lekë të vjetra.

E gjitha në kundërshtim me ligjin. Për ketë çështje, banorët kanë bërë edhe kallëzim penal në prokurorinë e Vlorës dhe kjo, konstaton që leja e dhënë në favor të subjektit Astrit Çaçi, është në kundërshtim me ligjin dhe për këtë fakt, sot është duke u gjykuar në cilësinë e të pandehurit, ish shefi i urbanistikës Vlorë, Erjon Ahmataj.

Nga ana tjetër, në padinë e themelit, që është marrë në shqyrtim nga gjyqtarja Gentiana Xhelili, është kryer një akt tjetër ekspertimi, i cili po ashtu u jep të drejtë banorëve.

Por as ligji dhe as ekspertimet që ishin në favor të banorëve nuk janë marrë parasysh nga gjyqtari administrativ Bevis Shehaj i cili dha një vendim absurd dhe të paligjshëm kundër banorëve. Ky është vetëm një nga shumë rastet kur gjykatës si Bevis Shehaj, mbase nga paaftësia apo interesa që s’kanë lidhje me ligjin dalin kundër qytetarëve.

Top Channel