Politikani i pajtimit/ Bashkim Fino do mbahet mend për kontributin e jashtëzakonshëm në 1997

29/03/2021 15:06

Në Mars të vitit 1997 Bashkim Fino do të njihej nga të gjithë shqiptarët, jo vetëm nga banorët e Gjirokastrës ku ishte zgjedhur kryebashkiak një vit më parë. 

Emri i Finos ishte i vetmi që merrte konsensus për t’u zgjedhur në krye të një qeverie të pajtimit kombëtar. Në Shqipërinë e asaj kohe njihej vetëm gjuha e armëve dhe ardhja e një politikani të ri, i panjohur dha shpresë. Ish-presidenti Sali Berisha dha konsensus për të vetmin kryebashkiak socialist që e kishte mirëpritur atë gjatë një vizite në Gjirokastër.

Gjatë muajve të trazuar të pranverës së 1997, qeveria e pajtimit kombëtar arriti të vendose pak rregull dhe të organizonte zgjedhjet e reja nga të cilat më pas socialistët fituan shumë thellë. Më pas Fino morri disa poste drejtuese në qeveritë që erdhën më pas. Prej vitit 1997 Fino ka qenë anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.

Me qeverinë e re pas zgjedhjeve të qershorit 1997 deri në 1998 ishte Minister i Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Pavarësisht karrierës së mëvonshme në PS, emri i tij do të lidhej përherë me këtë moment, pra do të shihej si njeriu i “pajtimit”. Së fundmi kandidonte i katërti në listën e PS në Fier.

Top Channel