Mund të duket pak egoizëm që gazetarët t’i kërkojnë qeverisë t’i përfshijë në listën e personave me prioritet për të marrë një vaksinë anti covid.
Por, sidoqoftë, shqetësimi është i bazuar tek e mira e publikut po ashtu. Që nga fillimi i pandemisë, gazetarët kanë qenë në vijën e parë të frontit, duke raportuar histori të pafundme që kanë ravijëzuar një vit pandemi, shpesh duke ekspozuar edhe veten ndaj infektimit të mundshëm, në spitale, marshime apo tubime politike.
Ata kanë rrezikuar edhe jetën për të informuar një publik të mbërthyer nga ankthi, duke dhënë informacione të jetësishme për të çrrënjosur frikën dhe për të rritur ndërgjegjësimin. Gjatë izolimeve kombëtare, në vende të ndryshme të botës, gazetarët janë lejuar të vazhdojnë punën pasi qeveritë i kanë konsideruar punonjës të domosdoshëm.
Por, ata janë përjashtuar nga listat e personave që konsiderohen si prioritarë për tu vaksinuar. Disa ditë më parë, e pyetur nga gazetarët, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino, tha se pas kategorive të linjës së zjarrit, do të jetë edhe kategoria e gazetarëve të terrenit që do të vaksinohet.
Ndërkohë, rreth 100 gazetarë nga Maqedonia e Veriut, u vaksinuan me Astrazeneca-n në Serbi më 23 mars, të ftuar nga organizata e gazetarëve të Serbisë me ndihmën e zyrës së presidentit serb. Ata e morën dozën e parë në një qendër vaksinimi në qytetin serb të Vranjës, ndërkohë që organizata e gazetarëve të Maqedonisë organizoi transportin.
Ndërsa në SHBA, organizatat e gazetarëve i kanë bërë thirrje autoriteteve ti përfshijnë në listat prioritare ndërkohë që Kina, ka ofruar vaksina për gazetarët e huaj në vend, duke filluar nga e marta e kësaj jave. Sipas raporteve, shumë gazetarë të huaj dhe anëtarët e familjeve të tyre, kanë marrë vaksinën Sinovac në kryeqytetin kinez Pekin në kuadër të një plani imunizimi më të gjerë që përfshin të gjithë shtetasit e huaj.
Top Channel