Mbrëmjen e së dielës, Kosova do të nisë fushatën kualifikuese të Botërorit 2022 me një ndeshje të vështirë, atë ndaj Suedisë së Zlatan Ibrahimovic në ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Futbollistët e skuadrës së Bernard Challandes vijnë në këtë ndeshje pas fitores 4-0 në miqësoren me Lituaninë, por ata janë të ndërgjegjshëm se skuadra skandinave është i një niveli tjetër. Portieri i Kosovës Samir Ujkani theksoi se në këtë sfidë me Suedinë duhet përqendrim maksimal nga të gjithë

Samir Ujkani: “Në fitoren me Lituaninë, ka qenë miqësore dhe ka qenë një test i madh për neve, që me tregu prapë vetën që jemi gati për çdo lojë. Tash e kemi një tjetër lojë, që është totalisht ndryshe, është kualifikim kundër një kundërshtari që është kandidatë për ta fituar grupin. E dimë, është në nivel shumë të lartë, kanë lojtar super, është kthyer edhe Ibrahimovici, që krejt e kuptojnë që është top lojtar”

Edhe Besar Halimi që shënoi golin e katërt për kosovën në ndeshjen me Lituaninë nënvizon vështirësinë e kësaj përballjeje me Suedinë që ka në përbërje yje

Besar Halimi: “Besoj se ka për të qenë një ndeshje e vështirë. Suedia është një skuadër shumë e mirë që ka disa lojtarë që luajnë në klubet më të mirë të Evropës. por ne jemi gati për këtë ndeshje dhe shpresoj që të marrim një fitore për ‘Dardanët’.”

Sfida mes kosovës dhe Suedisë do të luhet në orën 20:45 të së dielës dhe ashtu si ndeshja e Kombëtares, ajo do të transmetohet në platformën Digitalb. Kjo sfidë do të gjykohet nga një klasë arbitrare hungareze me gjyqtar kryesor Tamas Bognar që do të ndihmohet nga asistentët Buzas dhe Kobor

Top Channel