Lista e kandidatëve për deputetë të partive politike që do t’i nënshtrohen verifikimit nga Prokuroria e Përgjithshme është zgjeruar.
Më parë janë raportuar 12 kandidatë, ndërsa sot janë shtuar 16 kandidatë të rinj, për të cilët KQZ kërkon verifikim nëse ata kanë lidhje me çështje kriminale.
Pjesë e listës janë kandidatë të cilët janë bërë publikë, si Tom Doshi, i cili është në krye të listës së Partia SocialDemokrate në qarkun e Tiranës dhe Shkodrës apo Rezeart Tusha, numri 8 në listën e PD-së në qarkun e Durrësit.
Gjithashtu do t’i nënshtrohet verifikimit edhe Dashamir Tahiri, kandidat për deputet në Partinë Lëvizja për Ndryshim, i cili nuk ka qenë më parë.
Kujtojmë se ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka bërë thirrje të vazhdueshme që Tom Doshi të mos jetë në listat e kandidatëve për shkak të së kaluarës së tij.
Në lidhje me rastin Doshi, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se do të presë organin e akuzës për të dalë në një vendim final.
Partia Demokratike i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesën për të ndaluar kandidimin e Doshit, i cili sipas saj “është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshit ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021”. Por sërish KQZ e regjistroi atë si kandidat në zgjedhje.
Gjithashtu Top Channel ka zbuluar se Rezeart Tusha, i cili është prej kohësh kryetar i PD në Shijak dhe kandidati i Partisë Demokratike, i renditur i 8 në listën e qarkut Durrës është arrestuar në Zvicër më 18 shtator të vitit 1994 nga policia e Gjenevës në operacionin e koduar me emrin “Hydra” pasi iu gjetën 42.5 gram drogë heroinë.
Në dokumentin e zyrës federale për migracionin thuhet se gjatë marrjes në pyetje Rezeart Tusha ka pranuar se trafikonte narkotikë për të siguruar të ardhura dhe se ka kaluar edhe më parë qese me heroinë. Për këtë arsye ndaj tij është vendosur një ndalim hyrje në Zvicër prej 5 vitesh. Pas publikimit të vendimit, Partia Demokratike i ka dërguar menjëherë kërkesë Prokurorisë që të nisë verifikimin e thelluar për kandidatin e tij edhe pse publikisht selia blu e mori ne mbrojtje atë.
Lista e plotë e kandidatëve:
Koalicioni ABEOK
Altin Gjeloshaj
Elsa Voka
Daniel Prroj
Ervis Beu
Ido Pashaj
Partia Bindja Demokratike
Arsen Belaj
Bahri Shabani
Partia Lëvizja për Ndryshim
Dashamir Tahiri
Ardian Gjoka
Partia Lëvizja e Re
Ilmi Kuka
Partia Lëvizja Socialiste për Ndryshim
Arbër Arifaj
Ashim Tafilaku
Elton Ismaili
Ferdinant Aligjoni
Ilir Hysi
Artur Baku
Partia Nisma Thurje
Boris Shakaj
Napolon Laska
Partia Demokratike
Agron Kapllanaj
Gentian Muca
Rezeart Tusha
Zef Hila
Partia SocialDemokrate
Kleo Murataj
Tom Doshi
Serdar Hoxha
Partia Socialiste
Artan Bitri
Halim Dauti
Leonard Beqiri
Top Channel