Tom Doshi nis fushatën: Jam mbështetës i Amerikës, Reforma në Drejtësi kaloi prej meje në Parlament

26/03/2021 18:28

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë  ka nisur ditën e sotme fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

Kryetari i kësaj partie,  Tom Doshi, hapi fushatën në kryeqytet me prezantimin e listës së kandidateve të Qarkut Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, kreu socialdemokrat,Tom Doshi, bëri të ditur sloganin e partisë: “Na jepni besimin, t’ju kthejmë shpresën”.

Doshi ndër të tjera ka thënë se shqiptarët nuk kanë më shpresë dhe PSD-ja është e vetmja forcë sipas tij që do ‘tju kthejë këtë shpresë, pasi sipas tij, korrupsioni është shqetësimi më i madh!

“Unë jam një mbështetës Amerikës” tha Doshi në fjalën e tij para kandidatëve për deputetë për qarkun e Tiranës duke shtuar se punën më të madhe që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shqiptarët është reforma në drejtësi.

“Në këtë reformë, unë jam njeriu kyç, që kjo reformë kaloi në parlament”-tha  Doshi.

Me listën e Tiranës, ku janë kandidatë nga fusha të ndryshme dhe me integritet,  Doshi tha se Partia Socialdemokrate e Shqipërisë do të jetë forcë e tretë politike në këto zgjedhje.

Prej shumë muajsh ambasada amerikane po këmbëngul që partitë politike të mbajnë larg listave të kandidatëve personat me rekorde kriminale dhe korruptive.

Në deklaratat e saj është përmendur emri i Tom Doshit, që institucionet të pengojnë hyrjen e tij në parlamentin e ri.

Top Channel