Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zgjeroi listën e dërguar në Prokurori për hetime të thelluara me 16 emra te rinj duke e çuar në total në 28 numrin e kandidatëve problematikë.
Nga partia Social Demokrate për verifikim kanë shkuar 3 emra, por interes si mediatik ashtu edhe ndërkombëtar ka ngjallur kryetari Tom Doshi, fati politik i të cilit tashmë është në dorë të organit të akuzës.
Pragun e Prokurorisë e kalojnë edhe figura nga lista e partisë së Topallit, Patozit dhe Hajdarit. KQZ, ka peshkuar nga 2 kandidatë për secilin subjekt politik, mes tyre Dashamir Tahiri, emër i njohur për sektorin e dekriminalizimit.
Për 2 partitë e mëdha PS dhe PD nuk ka kërkesë për emra të rinj, por pritet përgjigja e organit hetimor për 7 kandidatët e bërë publik, mes tyre Rezeart Tusha për të cilin dyshohet se ka fshehur dënimin për çështje droge në Zvicër. Për Lëvizjes Socialiste për Integrim ka kërkesë për 5 kandidatë , ndërkohë koalicioni i Kujtim Gjuzit zgjerohet me 3 emra.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi pranoi publikisht dështimin e të gjitha palëve për t’u mundësuar emigranteve shqiptarë te drejtën e votës. Vonesa po has edhe miratimi i fletës së votimit e cila nuk do të jetë gati para datës 31 mars, ditë kur Kolegji Zgjedhor do thotë fjalën e fundit për ankimin e Partisë Socialiste për kandidatet e koalicionit të PD-së.
Top Channel