Bill Gates bën një tjetër deklaratë të fortë për koronavirusin. Bashkëthemeluesi i kompanisë Microsoft, vlerëson se bota do të jetë në gjendje të kthehet në normalitet deri në fund të 2022-shit.
Duke folur për gazetën polake Gazeta Wyborcza dhe transmetuesin televiziv TVN24, Gates tha se pandemia e koronavirusit është “një tragjedi e pabesueshme”. Sipas tij shpresa e vetme ishte qasja në vaksina, të cilat janë zhvilluar me një shpejtësi të jashtëzakonshme. “Deri në fund të vitit 2022 ne duhet të kthehemi plotësisht në normalitet”, ishte komenti i tij.
Miliarderi që ka dhënë dorëheqjen si shef ekzekutiv i Microsoft Corp, kujtoi edhe një herë sesi në 2015-tën e paralajmëroi botën ndaj mundësisë së një pandemie. “Njerëz si unë paralajmëruan dhe thanë: ekziston një rrezik, dhe që ai të shmanget dhe të bëhen përgatitje duhet paguar një çmim të vogël. Por fatkeqësisht, këto investime nuk u bënë me kohë”, ishte komenti i tij.
Përmes Fondacionit të vet të tij filantropik Bill dhe Melinda Gates, kanë ndarë të paktën 1.75 miliardë dollarë për luftën globale ndaj pandemisë së COVID-19, duke përfshirë mbështetjen për disa prodhues të vaksinave, diagnostikimit dhe trajtimeve të mundshme.
Iniciativa COVAX, e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin, synon të sigurojë dy miliardë doza vaksinash për vendet me të ardhura më të ulëta deri në fund të vitit 2021.
Top Channel