Collins: Hezitimi ndaj vaksinave, mund të zgjasë pandeminë

26/03/2021 07:09

Drejtori i Institutit amerikan të Shëndetit Kombëtar Francis Collins tha të enjten se personat që hezitojnë të marrin vaksinat kundër COVID-19 mund të kontribuojnë në zgjatjen e pandemisë.

Në një intervistë për rrjetin televiziv “Fox News” zoti Collins tha se ai nuk është i shqetësuar lidhur me furnizimet me vaksina. Ai shtoi se është më i shqetësuar “rreth hezitimit që ekziston ende tek shumë grupe” që siç tha ai, do ta bëjnë më të vështirë arritjen e imunitetit të turmës.

“Kjo në thelb mund të bëjë që kjo pandemi të zgjasë më shumë sesa duhet”, tha ai. Më herët të enjten Presidenti Joe Biden njoftoi se administrata e tij ka vendosur një objektiv të ri atë të injektimit të 200 milionë dozave deri në fund të 100 ditëve të para të tij në detyrë, dyfishi i objektivit që u vendos fillimisht.

Zoti Collins tha se zyrtarët e shëndetësisë nuk e dinë se sa është përqindja e popullsisë që është infektuar me COVID-19 dhe inkurajoi amerikanët që janë prekur nga sëmundja që të vaksinohen. “Të qenit i infektuar me COVID-19 nuk siguron aq imunitet sa vaksina për të shmangur infektimin për herë të dytë”, tha ai. Ashtu siç kanë bërë zyrtarë të tjerë të shëndetit publik, zoti Collins paralajmëroi se ishte shumë shpejt për të shpallur fitoren kundër pandemisë së koronavirusit, duke përmendur ringjalljet në disa vende evropiane të shkaktuara nga variantet e virusit.

“Ndërsa vaksinojmë vendin ne duhet të vazhdojmë t’i përmbahemi masave të shëndetit publik për të kufizuar transmetimin e këtyre varianteve shumë ngjitëse dhe më pas në verë, mund të fillojmë t’i hedhim këto pas”, tha ai. “Por kjo kohë nuk ka ardhur ende”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA