Shqipëria e nis me fitore/ Mund Andorrën për kualifikueset e Botërorit 2022, sfida e radhës me Anglinë

25/03/2021 22:48

Shqipëria e ka filluar me fitore këtë aventurë të eliminatoreve të kampionatit botëror, duke mundur Andorrën në shtëpi me shifrat 0-1.

Një ndeshje e dominuar tërësisht nga kuqezinjtë edhe pse rastet në drejtim të portës kundërshtare ishin të pakta. Në pjesën e parë sulmet e kuqezinjve u shtuan gradualisht me kalimin e minutave deri në të 41-tën kur Ermir Lenjani ja del mbanë të zhbllokojë takimin.

Ishte pikërisht ky gol që rezultoi edhe ai i 3-pikëshit për këtë takim të parë për përfaqësuesen tonë. Pjesa e dytë ishte më konfuze me të dyja skuadrat që më tepër orvateshin në mesfushë pa arritur shumë në konkluzione. Ndër të paktat raste ishin padyshim të kuqezinjve, por që gjithsesi nuk pati ndryshim të rezultatit.

Në përfundim gjithçka flet mirë për kuqezinjtë që mund ta konsiderojnë si mision të kryer këtë ndeshje të parë, tashmë i pret Anglia, ditën e diel në “Air Albania Stadium” në Tiranë. Pas këtyre takimeve të para janë pikërisht këto dy skuadra, Shqipëria dhe Anglia që kanë marrë 3 pikë.

Top Channel