Roja mbeti në mes të zjarrit/ Tiranë, digjet magazina në një qendër tregtare

25/03/2021 15:10

Zbardhet dinamika se si ka ndodhur ngjarja në magazinën e qendrës tregtare që vijon të digjet që prej pasdites së të mërkurës.

Magazina 1000 m² i është dhënë me qira një subjekti privat për tregtimin e rrobave nga administratorët e qendrës tregtare. Mësohet se pikërisht pasditen e djeshme ka mbërritur një kamion me rroba, dhe në kohën kur punonjësit po bënin shkarkimin e mallit, është hapur vatër e zjarrit dhe njëri prej punonjësve të sigurisë ka lajmëruar në radio menjëherë për situatën.

Më pas 33-vjeçari Arjan Sala, shefi I sigurisë të qendrës, ka shkuar drejt vatrës me bombolën e fikses së zjarrit, ndërsa kolegu i tij ka dalë jashtë për marrjen e një bombole tjetër. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, kjo edhe pasojë e material që ndodheshin në magazinë.

Drejtori i Zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj në një komunikim për mediat tha se forcat zjarrfikëse, kanë arritur pas 15 orësh punë të neutralizojnë zjarrin e rënë mbrëmjen e djeshme në një magazinë në mbikalimin e Kamzës.

Ai theksoi se përbërja e magazinës nga materiale të ndryshme bën të pamundur ndalimin e tymit, ndërsa shtoi se kanë kërkuar përforcime nga shpëtimi i minierave, ka deklaruar Goxhaj.

“Situatën e bën më të dhimbshme njoftimi që kemi marrë se një punonjës ndodhet në vatrën e zjarrit, por përbërja e magazinës na e bën të pamundur eliminimin e tymit. Gjithashtu ne kemi angazhuar të gjithë personelin e Bashkisë dhe kemi kërkuar ndihmë nga kërkim shpëtimi minierave“, tha ai.

Top Channel