Danimarka nuk bindet/ E pezullon AstraZeneca-n për tre javë të tjera

25/03/2021 22:50

Danimarka njoftoi se do ta zgjasë afatin e pezullimit të vaksinës AstraZeneca për COVID-19 edhe për tre javë të tjera, në mënyrë që të ketë më shumë kohë në dispozicion për testet e sigurisë lidhur me mpiksjen e gjakut që rezultoi vdekjeprurëse tek një person që kishte bërë këtë vaksinë.

Vendimi vjen ndërsa rregullatori evropian i ilaçeve, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) respektivisht e kanë shpallur vaksinën të sigurt dhe efektive.

Danimarka pezulloi administrimin e vaksinës më 11 mars pas njoftimit se një grua daneze 60-vjeçare vdiq nga mpiksja e gjakut pasi bëri vaksinën. Disa vende të tjera europiane bënë të njëjtën gjë. Tanja Lund Erichsen e Agjencisë Daneze të Barnave u pajtua me vendimin. “Nga një perspektivë farmakologjike, vaksina vazhdon të jetë e sigurt dhe efektive kundër COVID-19. Por nuk mund të përjashtohet mundësia që ekziston një lidhje mes saj dhe një forme shumë të rrallë të mpiksjes së gjakut”, tha ajo.

Si EMA dhe OBSH-ja bënë komente të ngjashme javën e kaluar, por arritën në përfundimin se përfitimet e vaksinës i tejkalojnë rreziqet.Vendimi i Danimarkës vjen ndërsa AstraZeneca nxori informacione të reja në lidhje me efektivitetin e saj. Të dhënat mbi provat klinike me më shumë se 30,000 pjesëmarrës në Shtetet e Bashkuara, tregojnë se regjimi me dy doza është 76% efektiv në parandalimin e koronavirusit simptomatik.

Shifrat e fundit ndryshonin pak nga ato të mëparshmet të lëshuara nga gjigandi farmaceutik britaniko-suedez të hënën se vaksina ishte 79% efektive kundër virusit. Vaksina Oxford-AstraZeneca ka qenë alternativa kryesore në botën në zhvillim për shkak të kostos së saj të ulët dhe kushteve më të lehta për t’u ruajtur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA