Turqia e nisi me këmbën e mbarë fushatën eliminatore të Kupës së Botës Katar 2022, pasi triumfoi me rezultatin 4-2 ndaj Holandës në sfidën e parë të grupit, zhvilluar në stadiumin “Ataturk” të Stambollit.
Sulmuesi veteran Burak Yilmaz ishte protagonist absolut për Turqinë, pasi ia doli të shënojë tre herë në portën e holandezëve, një herë me aksion, një herë me penallti dhe në fund me goditje dënimi. Turqit e nisën vrullshëm ndeshjen dhe kaluan në avantazh që në minutën e 15’ me Yilmaz, ndërsa në të 34-ën ishte sërish kapiteni që ekzekutoi saktë një penallti, duke çuar skuadrën në dhomat e zhveshjes me avantazhin e dy golave.
Në fillim të pjesës së dytë ishte fantazisti i Milanit, Hakan Clhanoglu që shënoi edhe golin e tretë, duke dhënë idenë se llogaritë ishin mbyllur tashmë, por pikërisht në këtë moment erdhi edhe zgjimi i Holandës. Klaassen dhe De Jong në minutat 75’ dhe 76 shënuan dy herë për “tulipanët” duke rihapur takimin, por në momentin më të mirë të Holandës, ishte sërish Yilmaz ai që mori përsipër të vulosë gjithçka.
Kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga vërshëllima finale, Turqia fitoi një goditje dënimi mbi vijën e zonës dhe kapiteni Yilmaz gjuajti saktë duke dërguar topin në trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Krul. Në minutat shtesë pati edhe një 11-metërsh në favor të Holandës, të cilën e mori përsipër sulmuesi i Lyonit, Memphis Depay, por goditja e tij u zotërua në dy kohë nga portieri Ugurcan Cakir, duke bërë që ndeshja të mbyllej me shifrat 4-2.
Turqia e nis kështu mbarë, duke marrë tre pikët e para me një nga rivalët direkt për një vend në Katar, ndërsa “tulipatën” e drejtuar nga Franck De Boer duhet të reagojnë menjëherë, për të mos komplikuar gjithçka që në start.
Top Channel