Dëshira e Ersit që donte flokë për nënën e diagnostikuar me kancer përloti publikun/ Ilda rrëfen emocionet

24/03/2021 14:05

Ersi, në emisionin “Më thuaj një dëshirë”, shprehu dëshirën që mami i saj të ketë flokë ‘extension’.

E ftuar në “Shqipëria live”, Ilda tregon sa të vështirë e kishte të dilte në publik, pas rënies së flokëve për shkak të kimioterapisë, pasi u diagnostikua me kancer. “Ersi ka qenë e para që e ka marrë vesh, më shoqëronte kur bëja vizitat. Kishte momente që nuk mundesha, doja të dorëzohesha, vuaja shumë. Kam vuajtur shumë. Nuk mundesha të dilja pa flokë, njerëzit do më pyesnin, nuk duroja dot. I kam pasur gjithmonë flokët e gjata. Nuk e pranoja dot veten time”.

Ilda mbante paruke dhje vajza e saj e kuptoi se i krijonin vështirësi. “Kjo ka qenë dëshira e parë sepse doja që mami ta hiqte paruken. Thoshte se nuk e mban dot, sidomos në verë. E kuptoja vetë sepse mami nuk ndjehej njëlloj me paruke”.

Ilda u diagnostikua me kancer në gji, dy vite më parë, në moshën 34- vjeçare dhe pas shumë seancave të kimioterapisë, i ranë flokët. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo dhimbje, Ilda është përballur edhe më një dramë tjetër në jetë, humbjen e vëllait 25-vjeçar, emrin e të cilit sot e mban Ersi.

Po ashtu, Ersi, e cila është në klasë të gjashtë, tregon për reagimet  e shokëve të klasës, pas transmetimit të emisionit. “Më shikonin çuditshëm. Nuk po e kuptoja se çfarë kishin. Një vajzë më tha je e vogël në moshë por në shpirt je shumë e madhe. U emocionova”. Pas përvojës së vështirë me të ëmën, Ersi ka një mesazh “Nuk duhet të dorëzohemi, kjo sëmundje të kërkon të dorëzohesh por nuk duhet bërë. Nuk duhet të mërzisim prindërit, sepse do të bëhen më keq, nëse kanë ndonjë sëmundje”.

Top Channel