Sot mbushen 22 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës.
Kryeministri Edi Rama duke kujtuar këtë datë tha se: “Adresimi historik i Presidentit Bill Clinton për bombardimin e regjimit nacional-socialist të Beogradit në mbrojtje të Kosovës së martirizuar, e bën datën e sotme një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane“.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbi-Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, tha Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë tërheqjen nga Kosova.
Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.
Top Channel