Ankimimi i aleancës opozitare për listën e kandidatëve/ KAS tërhiqet për vendim

23/03/2021 12:05

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve u tërhoq për vendim ditën e sotme për kërkesën Ankimore të depozituar nga PD-Aleanca për Ndryshim, e cila kundërshton vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për heqjen e 69 kandidatëve nga lista e zgjedhjeve të 25 prillit.

KAS vendosi që të tërhiqej dhe të rikthehej përsëri pas 30 minutave për të marrë vendimin.

Anëtari i KAS, Ilir Rusmaili propozoi që ankesa e PD-së të mos konsiderohet fare, ndërsa përfaqësuesi i PS-së, Eridjan Salianji shprehet se numri mbi normalen i kandidatëve cenon barazinë e garës.

Përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso tha para panelit vendimmarrës se dispozita nuk pasur kufi maksimal por vetëm minimal.

 “Dispozita nuk përfaqëson tavan, por një gjë tjetër, ky numër të jetë i plotpjesëtueshëm me tre, të paktën 1 në çdo tre kandidatë të materializohet dhe të jetë real edhe në praktike. Në çdo zonë zgjedhore janë të plotpjesëtueshëm me 3. Vlerësojmë që listat janë në përputhje të plotë me dispozitën ligjore. Gjithmonë ka përmbajtur dyshemenë e nevojshme të cilën subjektet zgjedhore duhet të paraqesin në listën shumë emërore. Numri i kandidateve nuk mund të jetë më i vogël se sa numri i mandateve që duhet të zgjidhen në zonën përkatëse. Kjo do të mohonte të drejtën e partive në koalicion, që partitë të kishin të paktën një kandidat të tyre në çdo qark”, tha Kaso.

Subjekti politik PS kërkoi që të ishte palë në procesin ankimor të Partisë Demokratike që kërkon shfuqizimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve i cili i shkurtoi 69 kandidat për deputet nga lista përfundimtare që kishte ridepozituar në KQZ.

Top Channel