Pavarësisht se jemi në pranverë, disa zona të vendit në jug e veri janë zgjuar nën pushtetin e dëborës mëngjesin e sotëm nga reshjet e shumta gjatë natës.
Dëbora ka mbuluar qarkun e Dibrës dhe trashësia ka arritur nga 30-50 cm e në disa vende në 60 cm.
Vijon qarkullimi në rrugët nacionale në të gjithë territorin por në disa segmente si Peshkopi-Kala e Dodës, Ura e Çerenecit- Steblevë, Qafë Bualli- Martanesh kalohet me zinxhirë.
Reshjet e dëborës në Bulqizë kanë krijuar një situatë të rënduar në shumë rrugë rurale. Shumë fshatra në njësitë administrative Martanesh, Trebisht, Ostren, Zerqan, Fushë Bulqizë dhe Shupenzë janë të bllokuara.
Ndërkohë pa energji elektrike janë pothuajse 80% e njësive administrative se dhe një pjesë e qytetit, për shkak të dëmtimit të linjave të tensionit të lartë dhe të ulët.
Pa energji elektrike ka ngelur edhe qyteti i Kukësit me rrethinat, qyteti i Krumës me rrethinat, Kalimash , Vojnik, Shupenze dhe Peshkopia bashkë me rrethinat.
Sipas ARRSH-së, në rajonin jugor ka përmirësim të situatës dhe qarkullimi vijon normalisht. Rekomandohet që përdoruesit e mjeteve që kalojnë në segmentet Lunik-Steblevë dhe Krujë-Sarisallitik të pajisen me goma dimri ose zinxhirë.
Qarkullohet me zinxhirë në aksin Peshkopi-Ushtelencë, Peshkopi-Qafë Drajë, Urë Çerenecit-Klenjë, Trebisht-Doganë, Mjedë-Pukë-Fushë Arrëz, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Qafë Mali- Fierzë, Qafë Bualli-Bulqizë-Peshkopi.
Në qarkun e Shkodrës aksi rrugor Bogë-Qafë Thore-Breg Lumi është i bllokuar, ka rreth 3 metra dëborë në vendin e quajtur Qafa Thorës.
Ndërsa aksi rrugor Prekal-Mali Shoshit-Breg Lumi është i kalueshëm për mjete të larta dhe me zinxhirë, ka rreth 40 cm dëborë, ndërkohë që vijojnë reshjet.
Këshillohet që drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm, sidomos gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë në akset ku është e nevojshme, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Top Channel