Barça ‘luan tenis’ me Sociedad/ Atletico mund Alaves, por La Liga është e hapur

22/03/2021 14:41

Të mëdhatë e futbollit spanjoll fituan ndeshjet e tyre të radhës dhe tani kampionati në vendin iberik është i hapur.

Barcelona shpërtheu në Anoeta teksa shkatërroi Real Sociedad duke e mundur me rezultatin tenistik 6-1 në një ndeshje që gjatë gjithë kohës ishte në sens unik. U duk se Sociedad po e frenonte mirë Barcelonën gjatë 30 minutave të para, por rezistenca e skuadrës baske filloi të bjerë dhe në minutën e 37 skuadra katalanse vendosi të nisë spektaklin e saj teksa mori avantazhin me golin e Griezmann.

Pas 6 minutash u shënua edhe goli i dytë me Sergino Dest pas një pasimi të Messit. Në pjesën e dytë, Barcelona ishte akoma më e lirshme në lojën e saj dhe në harkun e 3 minutave shënoi edhe 2 gola të tjerë, sërish me Dest e më pas me Lionel Messin.

Shkroi emrin në listën e shënuesve edhe Dembele që e coi rezultatin në 5-0. Barrentxea shënoi golin e nderit për Real Sociedad, ndërkohë që Messi mbylli spektaklin e Barcelonës teksa shënoi golin e 6 të saj dhe të dytin persona për të festuar në mënyrën më të mirë rekordin e tij, me 768 ndeshje të luajtura me fanelën blaugrana duke e lënë pas Xavi hernandez.

Me këtë fitore, Barcelona vazhdon të shohë veten vetëm 4 pikë prapa Atletico Madrid që nga ana e tij me vështirësi mundi Deportivo Alaves në Wanda metropolitano me rezultatin 1-0. vendimtarë për skuadrën e Simeones u bënë Luis Suarez dhe Jan Oblak.

Uruguajani shënoi golin e vetëm për skuadrën e tij duke shkuar në 500 gola të shënuar në të gjithë karrierën e tij, ndërsa Oblak në minutat e fundit të ndeshjes u bë mbrojtësi i fitores së Atleticos teksa priti një 11 metërsh të ekzekutuar nga Joselu për Deportivo Alaves.

Top Channel